Celibashi nga Rrogozhina: Komisioni i QV të adresojë çdo problematikë që has, qytetarët të zbatojnë Kodin Zgjedhor

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, nga Rrogozhina ka deklaruar se procesi zgjedhor ka shkuar mirë ndërsa është ndalur edhe tek 2 incidentet e raportuara, atë të fotografimit të votës dhe praninë e personave të pa autorizuar në ambjente e qendrave të votimit.
Celibashi kërkoi nga komisioni i QV-ve raportimin e çdo problematike që hasin, ndërsa kërkoi nga qytetarët të zbatojnë Kodin Zgjedhor.
“Fotografimi i votës dhe votimi familjar janë të ndaluara dhe përbëjnë shkelje, por do të vazhdojmë të adresojmë çdo problematikë. Komisioni i QV ka të drejtë të raportojë çdo problematikë që has , apo për prani të personave të pa autorizuar. Nuk ka pasur problem me identifikimin elektronik. Qytetarët të zbatojnë kodin zgjedhor“, tha Celibashi.
Po ashtu, Celibashi përsëriti thirrjen ndaj kandidatëve që të shmangin thirrjet propaganduese dhe të respektojnë në mënyrë rigoroze heshtjen zgjdhore.
Rreth 33 mijë qytetarë të bashkisë Rrogozhinë i janë drejtuar këtë të diel qendrave të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e tyre. Përballë janë dy kandidatët, ai i Partisë Socialiste, Edison Memolla dhe i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha.
Sot votohet në 5 njësitë: Rrogozhinë, Kryevidh, Sinaballaj, Lekaj dhe Gosë.
/rtsh.al/