Cenet e projektligjit të arsimit të lartë
Të gjitha “gjymtyrët” e dëmtuara në ligjin e arsimit të lartë, problemet, shkeljet kushtetuese, pasojat që do të sjellë dhe agravimin e situatës kur studentët të njihen në brendësi të këtij drafti, janë shpjeguar dhe ballafaquar në një shkresë zyrtare.
Kjo shkresë i është dërguar dhjetë ditë më parë Kryeministrit të vendit, për të marrë masa dhe njëkohësisht për të kërkuar bashkëpunim dhe përmirësim në projektligjin në ligjin e arsimit të lartë. Në këtë shkresë theksohet se:
“Së pari, Universitari i Tiranës si universiteti më i madh, por me sa jemi në dijeni dhe universitetet e tjera publike, nuk janë përfshirë në hartimin e këtij projektligji dhe as nuk u është marrë mendim përpara se të paraqitej për diskutim në Këshillin e Ministrave. Një veprim i tillë vlerësojmë se bie ndesh me frymën e Kushtetutës, autonominë e institucioneve të arsimit të lartë, si dhe me praktikën shumë të mirë të ndjekur deri më tani nga Këshilli i Ministrave lidhur me hartimin dhe miratimin e akteve të rëndësishme që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve të arsimit të lartë”, i shkruhet zyrtarisht Kryeministrit.
Aty rikujtohet se porosia e Kryeministrit lidhur me një projekt të mëparshëm, ka qenë që ai të punohej dhe të konsultohej me institucionet e arsimit të lartë, përpara se të paraqitej në Këshillin e Ministrave.
Në një diskutim paraprak të zhvilluar me rektorët e IA-ve MASH pas prezantimit të sugjerimeve të një draft projekti ndryshimesh u caktua një grup pune. Grupi i punës do të diskutonte dhe konsultonte ndryshimet në ligj dhe pas prezantimit të tyre në Konferencën e Rektorëve, projekti do të ndiqte procedurat për miratimin e tij. “Konstatojmë me keqardhje se në anashkalim të kësaj procedure Këshillit të Ministrave i është paraqitur një projektligj i rëndësishëm që parashikon ndryshime të shumta në ligjin ekzistues për arsimin e lartë pa marrë fare për bazë mendimin e IAL-ve”, thuhet në shkresën zyrtare që ka dërguar Universiteti i Tiranës, në emër të të gjitha institucioneve të arsimit të lartë publik.
Në këtë analizë të detajuar theksohet se:
“Së dyti, si rezultat edhe i kësaj procedure të parregullt dhe mungesës së konsultimit konstatojmë se projektligji nuk pasqyron realisht shqetësimet që kanë IAL, të cilat publikisht janë përkrahur edhe nga ju, dhe në rastin më të keq, projekti ka rregullime që vijnë ndesh me Kushtetutën, si dhe me administrim normal të institucioneve publike të arsimit të lartë me autonomi dhe liri akademike që ligji duhet t’i garantojë”.
Sipas gjykimit të akademikëve, projektligji ka edhe mangësi të tjera për të cilat kërkojnë që së bashku me sa është parashtruar në mënyrë zyrtare të merren në konsideratë. “Vlerësojmë se sugjerimet e përcjella nga bota akademike dhe studentët të cilët janë një grup i rëndësishëm interesi dhe që do të ndiejnë efektet e ndryshimeve ligjore duhet të trajtohen përpara miratimit të projektligjit”, sqarojnë profesorët.
#