E Diel, 1 Nëntor 2026

BE, mesazh politikës: Mos acaroni situatën, merrni parasysh pasojat

Situata Sot, në Bruksel, mblidhet Këshilli i Dytë i Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri. Meta, në raportim

Një ditë përpara mbajtjes së Këshillit të Dytë të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri, “Top Channel” zbuloi dokumentin konfidencial që përmban qëndrimin e 27 vendeve anëtare të Unionit ndaj vendit tonë. Dokumenti prej 15 faqesh nis me shqetësimin e mospërmbushjes së kriterit politik të Kopenhagës, për shkak të mosfunksionimit të institucioneve demokratike. Duke vënë theksin në mosfunksionimin e Kuvendit dhe komisioneve parlamentare që prej zgjedhjeve të vitit të kaluar, BE nënvizon rëndësinë e një bashkëpunimi aktiv të mazhorancës dhe opozitës për të rivendosur veprimtarinë e pandërprerë parlamentare. “Bashkimi Europian i bën thirrje liderëve politikë shqiptarë të marrin parasysh pasojat e mundshme të ngërçit politik për hapat e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në momentin e përgatitjes së opinionit për aplikimin e Shqipërisë, funksionimi i plotë i Kuvendit është thelbësor për të dëshmuar pjekurinë demokratike të Shqipërisë, por dhe për të garantuar progres në reformat kyçe. BE nënvizon se të gjithë liderët kryesorë politikë ndajnë përgjegjësinë për të rikthyer një dialog konstruktiv politik dhe për të dëshmuar efikasitetin dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Në atmosferën aktuale politike është e rëndësishme që të shmangen veprime konfrontuese, deklarata dhe vendime që mund të acarojnë më tej situatën”, thuhet në dokument. Ky qëndrim i vendeve anëtare është hedhur në letër dhe është miratuar përpara nisjes së grevës së urisë nga përfaqësues dhe mbështetës të opozitës. Ndërkohë që vlerësimet për situatën e përkeqësuar politike të ditëve të fundit pritet të bëhen të ditura në takimin e ditës së sotme, ku do të marrin pjesë kryediplomati Ilir Meta, komisioneri Stefan Fyle dhe përfaqësues të Presidencës Spanjolle e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Këshilli i Stabilizim Asociimit, që është dhe takimi i nivelit më të lartë BE-Shqipëri, do të debatojë edhe për sfidat urgjente të vendit në rrugën drejt integrimit europian. Në dokumentin konfidencial, qëndrimi i përbashkët i vendeve anëtare të Unionit përcakton se forcimi i shtetit ligjor, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, pavarësia e gjyqësorit dhe përforcimi i administratës mbeten sfida të tjera urgjente, përveç zgjidhjes së krizës politike. Sa i takon sistemit gjyqësor, dokumenti thotë se “BE i bën thirrje qeverisë shqiptare të garantojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, në veçanti për Gjykatën Kushtetuese, si dhe ndaj gjyqtarëve e prokurorëve. Duhet që për Gjykatën Kushtetuese të bëhet në kohë, bazuar në procesin e meritave, emërimi i gjyqtarëve të rinj në mes të vitit 2010. Nevojitet një Shërbim Informativ i pavarur, i përgjegjshëm e profesional”. “Numri i rasteve të korrupsionit që po hetohen, përfshirë gjyqtarë, oficerë policie e doganash, është në rritje. Megjithatë, korrupsioni mbetet gjerësisht i përhapur dhe përbën një problem veçanërisht serioz në shumë fusha, përfshirë këtu financimin e partive politike, sektorin shëndetësor etj. Kapaciteti investigues i zbatuesve të ligjit dhe prokurorisë mbetet i dobët. Niveli i dënimeve për rastet e korrupsionit mbetet i ulët. BE vëren se perceptimi publik ndaj korrupsionit është përkeqësuar si dhe nënvizon rëndësinë e vendosjes së rezultateve bindëse në hetimin dhe dënimin, e pavarur nga ndërhyrjet politike, përfshirë këtu dhe rastet e korrupsionit në nivele të larta”, thuhet teksa flitet për korrupsionin. Sa i takon trafiqeve, BE vëren realizimin e disa veprimeve të suksesshme ndërkombëtare në luftën kundër trafikut të drogës dhe përpjekje të mira për parandalimin e trafikut të qenieve njerëzore. Por BE thekson se nevojiten ende përpjekje të konsiderueshme në të dy këto fusha, si dhe në rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar. “Shqipëria mbetet një vend origjine për trafikun e fëmijëve dhe grave për qëllime të shfrytëzimit seksual e punës së detyruar”, thuhet në dokument. BE vëren se biznesi dhe interesat politike vazhdojnë të ndikojnë tek mediat edhe nëpërmjet frikësimit.

Arta Tozaj, Bruksel

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›