E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers: Korrupsioni? Hiquani imunitetin gjyqtarëve

Kryediplomati i SHBA-ve në Tiranë: Korrupsioni është i pranishëm. Nënkryetari i KLD-së: Gati për këtë nismë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers, tha se për të luftuar korrupsionin në gjyqësor, më parë duhet t’u hiqet imuniteti gjyqtarëve. Apeli i lëshuar disa ditë më parë nga krerët e njësive antikorrupsion në Prokurorinë Shqiptare, se imuniteti që mbarin togat e zeza dëmton punën hetimore, duket se është në të njëjtën linjë edhe me kryediplomatin e SHBA-ve, i cili ka deklaruar se për këtë çështje “duhet ngritur zëri”. Në takimin e organizuar nga Gjykata e Lartë për të përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Withers citoi se “korrupsioni është i pranishëm në sistemin gjyqësor dhe se duhet të luftohet me çdo mjet”. Në fillim të fjalës së tij, ai përgëzoi krerët e institucioneve të Drejtësisë që merrnin pjesë në takim, që nga Kryetarja e Gjykatës së Lartë, kreu i Gjykatës Kushtetuese, Prokurorja e Përgjithshme, ambasadori i OSCE-së, ministri i Drejtësisë dhe me pjesëmarrjen e Shkollës së Magjistraturës. Kryediplomati i SHBA-ve në vendin tonë tha se “kjo ditë është e çmuar për drejtësinë”, ndërsa vuri theksin se të gjithë duhet të jenë të barabartë para gjykatës. “Të gjithë duhet të kenë akses në gjykatë, pavarësisht bindjeve politike, racës etj.”, vijoi Withers, duke shtuar se drejtësia është besimi për të zgjidhur një mosmarrëveshje ku të ketë edhe transparencë për publikun. Më tej, ai tha se ndihej i lumtur për iniciativat e fundit që kishte marrë Gjykata e Lartë, ndërsa ritheksoi se sistemi gjyqësor duhet të jetë i lirë prej ndikimeve politike. “Sot nuk do të flas për ndikimet politike, por për integritetin personal të çdo gjyqtari”, deklaroi Withers, duke shtuar se “s’ka pavarësi pa integritet”.

Ndërkohë, në fjalën e tij, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, tha se do të mbështesë çdo iniciativë për të luftuar korrupsionin në sistemin gjyqësor, ndërsa e ka mirëpritur idenë e heqjes së imunitetit të gjyqtarëve. Ai tha se sistemi gjyqësor është në një gjendje të vështirë, pasi ekziston një krizë besimi nga publiku. Sipas Spahiut, pengesë është ngërçi për Konferencën Gjyqësore dhe vendet vakante në KLD.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›