E Diel, 1 Nëntor 2026

Cenolli zgjedh Anglinë si kundërshtaren e luksitAgjenti i FIFA-s, Mario Cenolli zgjodhi per Euro 2012: Anglia, Zvicra, Skocia, Belgjika dhe San Marino.

Rrjetet sociale:

Aventura e Shqipërisë në kualifikueset e Kampionatit Botëror 2010 përfundoi me vendin e parafundit në grupin 1 (lamë pas vetëm Maltën), ndërkohë që përpara Kombëtares sonë një tjetër fushtatë eliminatore është në prag: ajo e Kampionatit Europian 2012, finalet e të cilit do të luhen në Poloni dhe Ukrainë.

Ndeshjet ndërkombëtare gjithmonë janë një vitrinë e madhe për shumë lojtarë të ekipit përfaqësues. Agjenti i FIFa-s, Mario Cenolli, një nga bashkëpunëtorët e agjencisë së menaxhimit të lojtarëve “Vata Vision Football Menagement”, sheh Anglinë e Fabio Kapelos si kundërshtarin e luksit për Shqipërinë në shortin e Euro 2012.

“Anglia është një nga ekipet më të mëdha në botë dhe pretendentja kryesore për fitimin e Kampionatit Botëror. Kjo u pa qartë edhe në eliminatoret e Kupës së Botës. Për mometin ka grupin më të mirë të lojtarëve dhe në Britaninë e Madhe janë të etur për të qenë ata kampionë të botës. E kanë fituar vetëm një herë në vitin 1966”, -tha Cenolli, i cili aktualisht jeton në Londër.

“Do të ishte një gjë e jashtëzakonshme për ne, nëse Anglia do të shpallej kampione bote e t’i fillonte më pas eliminatoret e Europianit me një ndeshje me Shqipërinë. Do të përsëritej e njëjta histori si me Greqinë, kur ajo u shpall kampione e Europës. Gjithsesi pretendetë të mëdhenjë në Botëror janë dhe Gjermania, Italia, Brazili, Spanja e Argjentina”, - theksoi Cenolli, duke iu rikthyer kujtimeve të asaj fitoreje të paharrueshme e simbolike 2-1 kundër Greqisë, më 4 shtator 2004.

“Nga ana tjetër, Anglia do të ishte edhe një burim i mirë financiar për të drejtat televizive për Federatën Shqiptare të Futbollit, përveç bumit mediatik, pasi në “Qemal Stafa” do të vinin të luanin emra të mëdhenj si Xhon Terri dhe Frenk Lampard të  Çelsit, Uejni Runi dhe Rio Ferdinand të Mançesterit, Teo Uallkot i Arsenalit. Lorik Cana, i cili tashmë luan në Angli me Sandërlendin e di impaktin ndërkombëtar që ka futbolli britanik. Uembli i rikonsruktuar është shumë joshës dhe të luash aty të mbetet në kujtesë gjithë jetën. Blendi Nallbani, të paktën e ka të gdhendur emrin përjetësisht aty si portieri më i ri në moshë që ka luajtur në Uemblin e vjetër”.

Në katër ndeshje zyrtare kundër Anglisë, Shqipëria nuk ka fituar asnjëherë, duke shënuar vetëm 1 gol kundrejt 12 të pësuarëve nga ishullorët britanikë. Takimi i fundit me Anglinë, ka qenë ai kundër versionit B, të humbur 3-1 në “Turf Moor”. në maj të vitit 2007, kur Shqipëria drejtohej nga Oto Bariç dhe Anglia e asaj kohe nga Stiv Meklaren.

Pas Anglisë, si kundërshtare nga vazo 2, Mario Cenolli zgjedh Zvicrën, një ekip me të cilin Shqipëria është ndeshur po 4 herë (0 fitore, 1 barazim e 3 humbje), por që ka një intrigë brenda, pasi kundër kuqezinjve për herë të parë do të luanin edhe dy shqiptarë, Valon Berhami i Uest Hemit dhe Blerim Xhemaili i Parmës. Për më tepër ndeshja në transfertë do të ishte një ndeshje si gati në shtëpi, kjo dhe për shkak të komunitetit të gjerë shqiptar që jeton në Zvicër e shtetet përreth.

Nga vazo 3, bashkëpunëtori i ish-kapitenit të Kombëtares, Rudi Vata, zgjodhi Skocinë (pikërisht në këtë vend jeton agjenti i njohur i FIFA-s, Vata) një skuadër me të cilën Shqipëria nuk është ndeshur asnjëherë dhe paraqitet shumë interesante, sidomos sfida në “Hampden Park”, një nga stadiumet më madhështorë të botës. 

Nga vazo 4, agjenti i FIFA-s, Mario Cenolli zgjodhi Belgjikën. Dy ndeshje kemi luajtur kundër belgëve: 1 fitore, 1 humbje, golaverazhi 3-3, por e paharrueshme mbetet fitorja 2-0 në “Qemal Stafa”, me golat e Arben Mingës dhe Mirel Josës në eliminatoret e Botërorit të Meksikës 1986.

Si ekipin më të dobët në grup, atë nga vazo 6, Cenolli zgjodhi San Marinon, një kundërshtar relativisht modest, e që ndaj të cilit pretendojmë fitore të dyfishtë, teksa dhe të vetmen ndeshje kundër tyre kemi fituar 3-0.

Kë kanë zgjedhur agjentët e FIFA-s
Mario Cenolli: Anglia, Zvicra, Skocia, Belgjika dhe San Marino.


Numri i klikimeve - 1261
  E Merkure, 28 Tetor 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›