Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues, nis numërimi në 34 vende

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Specialistët e Zonave të Mbrojtura në të gjithë vendin kanë nisur sot punën për Censit Ndërkombëtar të Shpendëve Ujorë Dimërues.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura bëri të ditur sot se “për dy ditë rresht specialistët e Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura, ekspertë, ornitologë dhe vullnetarë ndodhen në 34 vende numërimi, për të zhvilluar studimin më të rëndësishëm të vitit Censin Ndërkombëtar të Shpendëve Ujor Dimërues”.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau gjithashtu në rrjetet sociale momente nga nisja e censit.
“Ka nisur sot që në orët e para të mëngjesit Censusi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura së bashku me shumë vullnetarë, organizata mjedisore, ornitologë dhe ekspertë që do të vëzhgojnë shpendët në 34 vende numërimi për të zhvilluar studimin më të rëndësishëm të vitit”, tha Kumbaro.
Stafi i AdZM Fier ka nisur numërimin e shpendëve ujor dimërues në një prej zonave më të rëndësishme në vend, në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta.” Në bashkëpunim me Shoqatën Orintologjike Shqiptare është pozicionuar në pika të ndryshme të parkut për të përftuar rezultate sa më cilësore mbi censusin.Censi do të zhvillohet edhe gjatë ditës së nesërme në të gjitha zonat e mbrojtura.
Rreth 143 shtete nga e gjithë bota realizojnë një studim kaq të rëndësishëm. Popullata të ndryshme të shpendëve të ujit kërkojnë skema të ndryshme monitorimi. Regjistrimi Ndërkombëtar i shpendëve të ujit përfshinë të gjitha llojet e ligatinave natyrore dhe ato të krijuara nga njeriu, si edhe të gjithë llojet e shpendëve që hasen në këto habitate.
Shqipëria i është bashkuar Censit Ndërkombëtar të Shpendëve të Ujit që në vitin 1993, ku fillimisht ky census u zhvillua në habitatet bregdetare dhe liqenin e Shkodrës. Në nivel ndërkombëtar censi ka filluar që në vitin 1967.
1 nga 7/k.s/a.f/