Censurohet klipi i Nora Istrefit, transmetimi në TV vetëm pas orës 24
Klipi i fundit i Nora Istrefit “Dy shokë”, ka filluar të ngjallë debate të shumta, si nëpër forume në internet, ashtu edhe nëpër televizionet kosovare dhe në jetën e përditshme atje. Burime të “Panorama plus”, tregojnë se pikërisht redaktorët përgjegjës të emisioneve në tre televizionet më të mëdha nacionale në Kosovë, për shkak të skenave nudo që përmban klipi, kanë rënë dakord që të trasmetohet pas orës 24. Meqenëse brenda ditës shikueshmëria më e madhe kap moshën minore, televizionet janë munduar të ndërpresin transmetimin. Bëhet fjalë për televizionet nacionale, siç janë RTK, KTV dhe RTV21, ndërsa te disa televizione të tjera lokale, përfshirë dhe disa që transmetojnë vetëm muzikë, klipi bën xhiron edhe brenda ditës. Ne u munduam të kontaktojmë këto televizione nacionale, por nga asnjëri nuk morëm përgjigje. “Në ZicoTv klipi trasmetohet edhe gjatë ditës”, tregon pronari i këtij televizioni muzikor. Ndërkohë kontaktuam edhe këngëtaren, e cila qartësoi më mirë gjërat. “Jo, nuk është e vërtetë kjo, që të tre televizionet janë duke e transmetuar në çdo kohë, sa kam pak kohë me shiku sidomos 21-shin. S’kanë përse ta bëjnë ata, vetë ishin gazetarët që e ekzagjëruan pak punën e klipit, unë e kam sqaruar dhe do ta them prapë se skena për të cilën po flitet që jam e zhveshur e ku ta di, nuk qëndron, ajo është skene ireale, kompjuterike, që sipas grimit me të kaltërt, interpretimit dhe qëndrimit, shihet që nuk ka asgjë provokative. Regjisorët e klipit e kanë menduar që në fillim të jetë një gjë që spjegohet ftohtësia ime dhe njëfarë dëshpërimi kinse për shokun tim të cilit i kam thënë, dua të mbesim shokë dhe realisht këtë që kam thënë atë që kam ndjerë vërtetë. Kjo është e gjitha, dhe do të jetë hera e fundit që do jap spjegim për këtë”, ka theksuar Nora për “Panorama plus”. bl. re