Hueida El Saied, tani merret me informacionin në televizion
E kemi parë si balerinë, më pas si këngëtare dhe si prezantuese. Jashtë Shqipërisë ka patur eksperienca shumë interesante si koreografe, aktore dhe imazh promocional. çfarë i kishte mbetur akoma pa bërë Hueidës? Përfshirja në gazetari. Pasi prezantoi për disa javë rresht programin e paradites “Kioskë” tek “Ora News”, duket se Huedia ka ndërrmarrë një tjetër hap, atë të folëses së lajmeve te ky ekran. Në këtë mënyrë, vajza show girl tani ka kaluar në një profil tërësisht të ri për të. Ka lënë mënjanë garderobën e fustaneve me shkëlqim dhe është kujdesur që të ketë sa më shumë xhaketa serioze pasi studioja e lajmeve e kërkon këtë. Mesa duket i është dashur të heqë dorë edhe nga buzëqeshja e saj shumë e çiltër, që pranohet natyrshëm në një spektakël, por kurrsesi në një studio lajmesh. Hueida tregon se ka filluar të shfletojë rregullisht gazetat, në mënyrë që të hyjë në thellësi të lajmeve dhe të ketë sa më shumë informacion teksa i prezanton ato. Kjo është ndër të paktat herë që një vajzë e spektaklit provon studion e lajmeve dhe mbi të gjitha herë e parë në Shqipëri që kemi një folëse lajmesh me ngjyrë. Dhe së fundi, nuk mund të mos e themi se si folëse lajmesh Hueida i ka kaluar të gjitha parashikimet tona, pasi po ia del për mrekulli. A thua pas kësaj mund t’i lindë ideja që t’i futet politikës?