Joni Peçi: Femra maskiliste dhe meshkuj sensualë te “Tirana Fashion week”
Femra maskiliste dhe meshkuj sensualë do të dominojnë në teatrin e TvKlan, ku do të sfilohet për “Tirana Fashion week 2010-2011”. Joni Peçi zbulon detajet e javës së modës, të papriturat, ngjyrat dhe stilet që do të vijnë si tendencë në pasarelën e vitit
Perfomanca e “Tirana Fashion Week” nis të hënën, çfarë të papriturash priten në pasarelë?
Po, të hënën në orën 18:00 fillon fashion-eventi “Tirana Fashion Week 2010-2011” organizuar nga “Joni Peçi Fashion Group”, me mbështetjen e TV Klan. Pasarela me skenografi të Gaetano Castellit do të jetë surprizuese në regjinë e Pali Kukes dhe punës së një stafi të madh koreografësh e asistentësh. Të gjithë kanë realizuar mrekullinë e radhës, por duhet të presim deri të hënën që fillon “Tirana fashion Week”.
Cila do të jetë femra dhe mashkulli që do na sugjeroni si model për këtë vit?
Si te femrat dhe te meshkujt dominojnë ngjyra e bardhë, blu e errët, e zeza dhe veshjet me vija në stilin marinar. Po mundohem të sjell një modë më të prekshme, në kuptimin që çdo njëri të hapë garderobën dhe të gjejë veshjen që e bën të ndihet rehat. Tendenca e femrave është për maskilizëm, që do të thotë femër praktike dhe jo shumë e ngrehur. Ajo vesh pantallona, këmisha dhe jelekë. Ndërsa për meshkujt do të sjellim modelin klas dhe serioz, me kostume, xhaketa dhe kryesisht pantallona xhins.
Po elementi sensual si do të vijë në këtë sfilatë, do të ketë modelë që do provokojnë me linja të ekspozuara?
Mbetet për t’i parë pasi ky event është gjithmonë surprizues. Java do të hapet me një sfilatë me veshje “haute couture”, të stiluara nga unë. Dhe moda që do shihni do jenë koleksionet më të reja të stilistëve pjesëmarrës me risitë, profesionalizmin dhe të qenit unik me veshje.
Vajzat dhe djemtë që sfilojnë u përzgjodhën gjatë audicionit “E diela shqiptare”. çfarë modelësh keni zbuluar?
Vajzat dhe djemtë u seleksionuan dhe u trajnuan te spektakli “E diela shqiptare”, nga ku u zgjodhën super modelja e 2010-ës Kledia Haxhija dhe super modeli Arsen Miska. Modelet e përzgjedhur, tashmë të lançuar te “Joni JPFG models agency” do jenë ata që së bashku me modelet e tjerë nga Kosova do sfilojnë për stilistët pjesëmarrës.
Në fotot që keni realizuar paraprakisht shohim meshkuj të zhveshur dhe femra të mbuluara. Pse?
Sepse meshkujt e durojnë të ftohtin më shumë se femrat(qesh). Gjithsesi dhe femrat nuk është se janë më pak të zhveshura sepse bukuria dhe pamja e tyre ua lejon të dalin ashtu, pasi ndryshe nuk do të quheshin modele dhe modelë por persona të zakonshëm.
Do të ketë të ftuar të veçantë, ç’mund të tregoni më shumë?
Do të ketë shumë të ftuar, por vëmendja është fokusuar te stilistët dhe modelet e zgjedhur që do sfilojnë me këto veshje. Koleksionet e stilistëve shqiptarë Jona Muça dhe Joni Peçi, stilistëve të ardhur nga Akademia italiane e modës, Nenad Sakiraski nga Maqedonia që vjen sërish në Tiranë, si dhe stilistë nga Kosova.
Bashkëpunoni me fotografin Dejan Milicevic, çfarë ju grish në punën e tij?
Bashkëpunimi ynë prej vitesh me fotografin e njohur Dejan Milicevic ka rezultuar i suksesshëm dhe gjithmonë ka sjellë risi. Eshtë nga fotografët më të njohur në botën e modës, si dhe regjisor i disa video-klipe-ve cilësore të artistëve shqiptarë dhe të huaj.