E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha zgjedh Çiljetën si moderatore të mitingut të 1 Majit



Anëtarja më e re në listën e 100 fituesve në Këshillin Kombëtar të PD-së, duket se po përfshihet seriozisht politikat e së djathtës. çiljeta Xhilaga nuk mund të konsiderohet një e ftuar në koncertin, që organizohet sot në sheshin “Nënë Tereza”, me rastin e 1 Majit, Ditës së Punëtorëve. Këngëtarja, e cila sipas burimeve tona është e vetmja që do të këndojë pa pagesë, do të jetë dhe prezantuesja e koncertit festiv për Ditën e Punëtorëve, që festohet për herë të parë nga të djathtët në Shqipëri. E veshur me fustan të stilit serioz ngjyrë blu, çiljeta do të bëjë prezantimin e Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha para fjalimit që ai do të mbajë me këtë rast. Gjatë fushatës elektorale, çiljeta u fotografua vazhdimisht në krah të Berishës, edhe pse ajo ka pohuar se takimet e saj të vetme me të kishin qenë në podiumet e mitingjeve dhe skenat e koncerteve të fushatës. Ka qenë ideja e saj për të dalë për herë të parë si prezantuese, duke u lançuar kështu si një aktiviste e përhershme e aktiviteteve që Partia Demokratike organizon.
Politika është një nga ambiciet kryesore të çiljetës, pasi ajo tani merr pjesë rregullisht në takime e forume të kësaj partie. Pavarësisht këngës, ajo ka pohuar vazhdimisht se tani sytë do t’i kthejë nga politika, drejtim për të cilin ka studiuar në Universitetin e Tiranës. Ndërkohë që përveç saj, në festën që Qeveria do të organizojë për Ditën e Punëtorëve do të këndojnë disa këngëtarë dhe grupe, ku nuk do të mungojë grupi maqedonas “Elita 5”, që ishte dhe në koncertet për një muaj në fushatën elektoralet 28 qershorit. Këngëtarët e këtij grupi, që thuhet se janë paguar më mirë nga gjithë të tjerët, janë zgjedhur nga Partia Demokratike për faktin se mund të tërheqin në shesh fansa të muzikës së viteve ’80-të. Në koncert do të marrin pjesë këngëtarë si: Anjeza Shahini, Mariza Ikonomi, Samanta Karavella, Rosela Gjylbegu, Redon Makashi, Edmond Mancaku dhe grupi “Burn”. Thuhet se shuma që u është ofruar këngëtarëve për këtë koncert varion nga 300 mijë-500 mijë lekë të vjetra. Ky është koncerti i parë me këngëtarë që të djathtët organizojnë në Tiranë për 1 Maj. Koncerti mbahet sot rreth orës 12:00, për herë të parë në sheshin “Nënë Tereza”, që prej 20 vitesh ka qenë i rezervuar për mitingjet e Partisë Socialiste. Punimet në sheshin “Skënderbej”, por edhe protesta e paralajmëruar 24-orëshe e opozitës para Kryeministrisë, ka detyruar organizatorët e koncertit të zhvendosen te “Nënë Tereza”. Në koncert nuk ka asnjë këngëtar të huaj të ftuar, ndërkohë që janë organizuar dhe koncerte të tjera nëpër rrethe. Në mediat vizive është shfaqur spoti televiziv “T’i themi po Shqipërisë evropiane”, që fton qytetarët të marrin pjesë në këtë koncert festiv. Ftesa që Qeveria u ka bërë qytetarëve është në emër të procesit të integrimit dhe Shqipërisë evropiane, dhe nuk do të mungojë kënga himn e fushatës me titull “Shqipëria po ndryshon”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›