E Shtunë, 31 Tetor 2026

Censusi deri sot: Fotografia fetare e popullsisë së Shqipërisë, me gjasa, e deformuar

I interesuar për saktësinë statistikore të fotografisë fetare që do të prodhojë censusi i popullsisë dhe banesave të Shqipërisë, kam pyetur këdo që njoh sesi i është përgjigjur pyetjes mbi besimin fetar. Shumica më kanë thënë se kanë deklaruar si besim fetar atë që ka patur tradicionalisht familja e tyre. Kur u kam thënë se kishin edhe opsionin që të përgjigjeshin se nuk i përkisnin ndonjë besimi fetar, por ishin besimtarë, disa prej tyre kanë mbetur si të habitur.  Po mua sma lexuan këtë opsion dhe thjesht deklarova fenë e gjyshërvve e të stërgjyshërve të mij, – ishte përgjigjia e tyre.

Dje pata fatin të intervistohem edhe unë për censusin. Siç më kishin thënë, intervistuesi nuk e mori mundimin të lexonte katër opsionet rreth besimit fetar (1- I përkas besimit..X..; 2- Nuk i përkas ndonjë besimi fetar, por jam besimtar;  3 – Nuk i përkas ndonjë besimi fetar dhe nuk jam besimtar;  4 – Preferoj të mos përgjigjem). Ai thjesht më pyeti nëse i përkisja ndonjë besimi fetar dhe shtoi se mund të mos përgjigjesha, po të doja.

Hamendje: Po të vazhdojë kështu censusi, gjasat janë që fotografia fetare e popullsisë së Shqipërisë së sotme të dalë e ngjashme me atë të vitit 1938 (kur është pyetur për herë të fundit rreth fesë), pasi shumica do të deklarojnë fenë e gjyshërve, jo besimin/mosbesimin e tyre aktual. Në qoftë se pyetja rreth përkatësisë fetare do të shkallëzohej në mënyrë korrekte në praktikë, mund të rezultonte se rreth 60% e shtetasve shqiptarë janë thjesht deistë – pra, që besojnë në ekzistencën e një qenie të gjithfuqishme abstrakte, e cila nuk ka patur ndonjëherë mëkëmbës të saj në këtë botë. Ndërkohë, nja 10% e shtetasve shqiptarë mund të rezultonin ateistë dhe vetëm 30%, me gjasa, do të rezultonin si besimtarë të njërit prej besimeve fetare që janë aktualisht aktivë në Shqipëri. E. Zaloshnja

http://respublica.al/artikuj/2011/10/8/censusi-deri-sot-fotografia-fetare-e-popullsise-se-shqiperise-me-gjasa-e-deformuar

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›