E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT hedh poshtë Berishën: Çmimet e ilaçeve u rritën pas vendosjes së TVSH-së

Kryeministri Sali Berisha tha të enjten në Kuvend se çmimi i ilaçeve ka pësuar ulje edhe pas vendosjes së TVSH-së mbi to. Ai madje tha se ulja e çmimeve ishte në masën 30 për qind duke iu hakërryer kështu socialistëve, të cilët kërkojnë heqjen e TVSH-së për ilaçet dhe për disa produkte të tjera bazë, siç është buka. Berisha foli me kompetenca të plota duke përdorur madje dhe ndajfoljen e tij të preferuar absolutisht, por vetëm dy ditë më pas INSTAT e përgënjeshtroi këtë deklaratë. Duke raportuar për indeksin e çmimeve për muajin shtator (ndoshta në mënyrë të rastësishme dhe të pavetëdijshme) INSTAT hodhi poshtë deklaratat e kryeministrit të vendit. Indeksi i grupit Shërbimi shëndetësor shënoi një rritje prej 1.5 përqind, brenda të cilit çmimet e e medikamenteve mjekësore shënuan një rritje prej 1.8 përqind, tha INSTAT. Po ky institut ka raportuar për rritje të çmimeve të ilaçeve që nga muaji shkurt e në vazhdim, që kur nisi të aplikohej TVSH-ja e qeverisë. Por çfarë tha Berisha duke replikuar me kryetarin e grupit kuvendor Gramoz Ruçi, i cili e akuzoi se u ka shtrenjtuar shqiptarëve ilaçet. Shkoni në çdo farmaci, rënia është të paktën 30 për qind e çmimit të ilaçeve, po dhe po, absolutisht, ju them unë, tha Berisha duke mbrojtur vendosjen e TVSH-së. Ndërkohë edhe një tjetër produkt ka pësuar rritje sipas INSTAT pas politikave të reja të qeverisë. Bëhet fjalë për naftën, e cila është shtrenjtuar si pasojë e një ligji të ri të qeverisë për taksat e makinave. Gjatë muajit Shtator çmimi i naftës shënoi një rritje prej 1.7 përqind, ndërsa çmimi i benzinës një rritje prej 1.1 përqind, thuhet në indeksin e publikuar nga INSTAT.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›