Censusi, pa përgjigje
Regjistrimi i popullsisë, i vitit 2011, është pjesë e marrëveshjes së Kryeministrit Berisha me qeverinë greke. Pjesë e kësaj marrëveshjeje ishte shtimi në procesin e regjistrimit i formularit ku ndodheshin dy pyetjet për etninë dhe fenë
Spahiu: Po tentohet të manipulohen rezultatet
Ylli Pata
Kreshnik Spahiu, kreu i grupimit politik që kundërshtoi fuqishëm censusin për etninë dhe fenë, Aleanca Kuq e Zi, deklaroi në një intervistë për Shqip se Berisha po i qëndron marrëveshjes së fshehtë me Athinën, që e ka bërë para disa vitesh. Sipas Spahiut, ka një përpjekje për manipulimin e shifrave, por nëse do të ndodhë kjo, ka gjasa të rriten tensionet në vend. Spahiu nisi një betejë publike dhe ligjore në lidhje me pyetjet e kontestuara të censusit, të cilat i fitoi. Gjykata Kushtetuese rrëzoi termin kombësi në ligjin e gjendjes civile, ndërsa publiku nuk iu përgjigj qeverisë për tiu përgjigjur pyetjes në lidhje me përkatësinë etnike dhe fetare. Por për këtë nuk ka përgjigje zyrtare dhe sipas Kreshnik Spahiut, ka arsye për këtë…
Zoti Spahiu. Të dhënat e censusit për etninë e fenë nuk po publikohen ende. Ju keni qenë një nga grupimet që kundërshtuat që në fillim këtë proces. Si e konsideroni këtë vonesë?
Regjistrimi i popullsisë i vitit 2011 është pjesë e marrëveshjes së Kryeministrit Berisha me qeverinë greke. Pjesë e kësaj marrëveshje ishte shtimi në procesin e regjistrimit, i formularit ku ndodheshin dy pyetjet për etninë dhe fenë. Kjo pjesë e marrëveshjes është element i paketës së paktit me 4 kushtet që do të siguronin mbështetjen e Athinës për anëtarësimin në NATO dhe përkrahjen për liberalizimin e vizave. Aleanca Kuq e Zi e ka kundërshtuar që në fillim këtë marrëveshje, duke iniciuar një betejë publike dhe ligjore, pasi pyetjet për etninë dhe fenë ishin antikushtetuese dhe antiligjore. Ndonëse censusi u shty shtatë muaj, u arrit të manipulohet votimi i miratimit të ligjit për censusin në Kuvend, ku u falsifikuan votat e dy deputetëve, që nuk ndodheshin në Shqipëri, fakt që tashmë është bërë i ditur botërisht.
Në fakt, para kap kohësh, është folur për një rezultat zyrtar në lidhje me etninë e fenë…
Aleanca Kuq e Zi është përpjekur pikërisht që të ketë transparencë në lidhje me procesin e regjistrimit. Sipas burimeve zyrtare kemi mësuar se 71 për qind e shqiptarëve kanë refuzuar ti përgjigjen pyetjes mbi përkatësinë fetare, ndërsa 62 për qind e shqiptarëve kanë refuzuar ti përgjigjen pyetjes mbi përkatësinë etnike. Sipas EUROSTAT-it, vetëm nëse 5% e qytetarëve do të bojkotonin regjistrimin, atëherë ai do të quhej i pavlefshëm, pasi do të kishim të bënim me një marsh të lartë gabimi.
Sipas jush, pse nuk po publikohen të dhënat e regjistrimit?
Kanë kaluar 8 muaj nga zhvillimi i censusit dhe Berisha po i qëndron marrëveshjes së fshehtë. Dhe kjo për 2 arsye: 1. Krijon mundësinë që të jetë ende në fuqi marrëveshja ku Athina kërkonte që minoriteti grek në Shqipëri të jetë 8% e popullsisë, në mënyrë që të siguronte status special autonom. 2. Ka një alibi për të ndryshuar të dhënat e censusit. Aleanca Kuq e Zi bën të ditur se nëse do të ketë manipulime të rezultateve mbi përkatësinë fetare, atëherë mund të kemi rritje të tensioneve në vend. Kur ka nisur regjistrimi i popullsisë më 1 tetor, Aleanca Kuq e Zi ka zhvilluar një tubim para INSTAT, ku në mënyrë demonstrative u grisën fletët e formularit që përmbanin pyetjet mbi etninë e fenë. I kërkuam qeverisë Berisha që të refuzonte argumentet greke që ndiqnin një standard të dyfishtë në lidhje me regjistrimin e popullsisë. Nga njëra anë, kur e aplikonin në vendin e tyre, nuk hartonin pyetje për etninë dhe fenë ndërsa në Shqipëri kërkonin që të aplikohej. Greqia, siç dihet, është i vetmi shtet europian që nuk i njeh pakicat etnike. Beteja e Aleancës Kuq e Zi ishte një mobilizim i madh kombëtar, por edhe një luftë ligjore, të cilën e finalizoi Gjykata Kushtetuese, e cila ka rrëzuar termin kombësi në ligjin e gjendjes civile. Pas kësaj kërkuam tërheqjen e qeverisë nga dt pyetjet e kontestuara të censusit, por nuk ndodhi. Atëherë kemi kërkuar nga shqiptarët që të kundërshtojnë këtë marrëveshje të fshehtë mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke. Dhe si rezultat, 71 për qind e shqiptarëve kanë mbështetur Aleancën Kuq e Zi.
Kemi mësuar se 71 për qind e shqiptarëve kanë refuzuar ti përgjigjen pyetjes mbi përkatësinë fetare, ndërsa 62 për qind e shqiptarëve kanë refuzuar ti përgjigjen pyetjes mbi përkatësinë etnike
Vendimi
ILDKP gjobit 37 zyrtarë që refuzuan deklarimin
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka gjobitur dje me gjoba 37 zyrtarë, të cilët kanë refuzuar ose deklaruar jashtë afatit pasurinë e tyre. Të gjithë këto subjekte kanë marrë një gjobë prej 25.000 lekësh, pavarësisht se ILDKP do tju kërkojë të gjithë këtyre subjekteve të plotësojnë jashtë afatit deklaratat e tyre. Ajo që bie në sy në listën e 37 zyrtarëve lidhet me faktin se numri dërrmues i tyre i përket administratës së tatimeve dhe doganave në vend. Një pjesë e madhe e personave të gjobitur janë dhe përmbaruesit. Për sa i përket ministrive, zyrtarët e vetëm të cilët janë gjobitur janë në rang drejtorësh. Ndërsa përfaqësuesi i vetëm i pushtetit vendor, i cili nuk ka deklaruar pasurinë, është Adriatik Zotkaj, kryetari i Bashkisë së Poliçanit. Këto gjoba kanë ardhur nga ILDKP pas rakordimeve të kryera në përfundim të procesit të deklarimit periodik vjetor. Pas rakordimeve ka rezultuar se kanë dorëzuar formularin e pasurisë jashtë afatit ligjor ose nuk kanë e kanë paraqitur pranë zyrave të ILDKP-së, 31 zyrtarë që mbartin detyrim për deklarim periodik/vjetor; 4 zyrtarë që kanë detyrim për deklarimin para fillimit të detyrës; dhe 2 zyrtarë që duhet të plotësojnë formularin pas largimit nga funksioni, theksohet në njoftimin e Inspektoratit të Lartë. Nga ana tjetër, Inspektorati i Lartë njofton se është në përfundimin e procedurave për vendosjen e masave administrative edhe ndaj disa zyrtarëve të tjerë, të cilat do të publikohen në ditët në vijim. Në përgjithësi, numri i më i madh i atyre që nuk deklarojnë ose kanë probleme me pasurinë e tyre janë zyrtarë të nivelit të ulët dhe po kështu përfaqësuesit e pushtetit vendor. Problemi më i madh i ILDKP-së vijon të mbetet vështirësia e zbulimit të pasurive në para apo asete, që janë të transferuara jashtë Shqipërisë. Shpesh kryeinspektori Adriatik Llalla ka theksuar se zyrtarët e lartë i fshehin pasuritë jashtë vendit dhe puna e ILDKP-së për ti zbuluar mbetet e vështirë, edhe për shkak të buxhetit të ulët që ka në dispozicion.
F.Mejdini
Censusi, pa përgjigje burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Meritat e vërteta të stilolapsit dhe letrës në biznes!