E Shtunë, 31 Tetor 2026

Centrali bërthamor, gati faza e parë

Qeveria siguroi nga ekspertët e Vjenës gjatë muajit shkurt, ndihmën në hartimin e ligjit bërthamor

Ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare të Vjenës, të kryesuar nga drejtori ligjor, kanë mbyllur bisedimet për fazën e parë, atë për hartimin e legjislacionit në kryeqytetin shqiptar. Në vazhdën e të gjithë deklaratave për ngritjen e një centrali bërthamor, tashmë kanë përfunduar diskutimet për hartimin e ligjit bërthamor, i cili konsiderohet shtrati i kësaj vepre energjetike. Burime zyrtare pranë qeverisë pohuan për gazetën “Korrieri”, se ashtu siç ishte deklaruar edhe më parë, ekspertët për këtë çështje vijuan në shkurt diskutimet. Sakaq, ekspertë të tjerë, të cilët mbulojnë çështje të kësaj natyre, do të vijnë në një moment të dytë për bashkëpunim të mëtejshëm në realizmin e këtij projekti. Ndërkaq, një grup me ekspertë shqiptarë dhe të Agjencisë Ndërkombëtare të Vjenës janë duke proceduar me hartimin e legjislacionit të nevojshëm për këtë rast. Po ashtu, po procedohet me konsolidimin e legjislacionit të nevojshëm për këtë rast, si dhe me ngritjen e një institucioni të posaçëm që do të kontrollojë këtë veprimtari në të ardhmen. Aktualisht puna ka nisur me konsultime nga ekspertë që kanë përvojë në fushën e energjisë atomike dhe ka vijuar më tej me hartimin e legjislacionit specifik. Po ashtu, stafi shqiptar, i cili është duke u marrë me këtë punë, është i ftuar në një konferencë që do të mbahet së afërmi në Berlin dhe ku do të flitet për çështjen në fjalë. Pra, Shqipëria me strukturat e saj po përgatit, gjithmonë e mbështetur nga Agjencia Atomike e Vjenës, kuadrin e domosdoshëm për arritjen e përdorimit të energjisë bërthamore, si një burim i rëndësishëm energjie. Projektligji tashmë është duke marrë një formë përfundimtare dhe pritet që së shpejti të kalojë në Parlament. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka sjellë një draft për energjinë bërthamore, që është pothuajse i ngjashëm për të gjithë vende në botë dhe pas një përshtatjeje me legjislacionin shqiptar, ky draft pritet që të kalojë në Parlament për miratim. Koha më e mirë për realizimin e një investimi të tillë, pas krijimit të të gjithë kuadrit ligjor, pritet që të shkojë jo më pak se 5 vjet. Tashmë centralet bërthamore që ndërtohen aktualisht, konsiderohen si të gjeneratës së katër, me një siguri maksimale, por gjithsesi, mendimi i opinionit publik do të merret parasysh nëse një central bërthamor do të ofrohet për t’u ndërtuar në Shqipëri. Ndër të tjera, qeveria shqiptare për ngritjen e centralit bërthamor do të mbajë referendum. Po ashtu, ende nuk është përcaktuar vendi se ku do të ngrihet centrali bërthamor, por ekspertët shqiptarë kanë deklaruar se vendi do të përcaktohet pas një sërë diskutimesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›