E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria s'ka plan për Mediun

Fatmir Mediu

Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, burimet zyrtare të organit të akuzës pohuan nuk kanë ndërmend të kërkojnë heqjen e imunitetit si deputet të ish-ministrit të Mbrojtjes. Në dilemë madje edhe implikimi i Pinarit

TIRANË - Prokuroria e Përgjithshme ende nuk ka marrë një vendim për të kërkuar heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut. Dje, katër ditë pas ngjarjes së Gërdecit dhe një ditë pas dorëheqjes së Mediut, organi qendror i akuzës, nga i cili janë angazhuar dy prokurorë në hetimin e çështjeve, është në dilemë nëse duhet të kërkojë ose jo heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes. Por Mediu nuk është e vetmja dilemë e prokurorisë, pasi ende nuk është përcaktuar përgjegjësia e drejtorit të firmës “Meiko”, Ylli Pinarit, i cili ndodhet i ndaluar me urdhër të prokurorisë që nga ora 23.45 e mbrëmjes së të hënës. Sipas burimeve të hetimit, ende nuk është përcaktuar qartë roli i Pinarit në tragjedinë e Gërdecit, edhe pse zyrtarisht ndaj tij është ngritur akuza e “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Imuniteti i Mediut Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme i thanë dje “Korrierit”, se deri në orët e vona të mbrëmjes së të martës nuk është marrë asnjë vendim për të bërë ose jo kërkesë për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut, i cili gjatë deklarimit të dorëheqjes u shpreh i gatshëm për t’u vënë në dispozicion të hetimit, nëse një gjë e tillë do të kërkohet nga organet përkatëse. Të pyetur për këtë çështje, burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se është ende herët për të marrë një vendim të tillë. “Deri në orën 20.00 nuk ka asnjë kërkesë zyrtare nga prokurorët për këtë çështje. Nëse do të vendoset të ndërmerret ndonjë veprim apo kërkesë për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu, kjo gjë do të komunikohet zyrtarisht”, - thanë burime zyrtare nga zyra e shtypit e kryeprokurores. Aktualisht, grupi i hetimit, pjesë e të cilit janë dhe dy prokurorë nga organi qendror i akuzës, tashmë kanë konfirmuar faktin se Ministria e Mbrojtjes ka hartuar një plan për asgjësimin e municioneve dhe në shërbim të këtij plani ka urdhëruar të gjitha depot, që sasia e municionit të planifikuar për asgjësim t’i kalohet ndërmarrjes “Meico” Implikimi i Pinarit Prokuroria ende nuk ka qartësuar pozicionin e drejtorit të ndërmarrjes “Meico”, Ylli Pinarit, i cili prej dy ditësh ndodhet i ndaluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë. Zyrtarisht, Prokuroria e Tiranës ndaj 55-vjeçarit Pinari ka ngritur akuzën e “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, por pa sqaruar në mënyrë specifike momentin kur kjo drejtori ka shkelur këto rregulla. Një fakt i tillë konfirmohen nga burime konfidenciale nga grupi hetimor, të cilat thanë se është ende i paqartë pozicioni i Pinarit në ngjarje. Si përfaqësues i ndërmarrjes “Meico”, Ylli Pinari ka nënshkruar dy kontrata me kompaninë amerikane “Southern Ammunition Company Inc”, ku kësaj të fundit i njihej e drejta të kryente asgjësimin e predhave. Paraprakisht, prokurorët dyshojnë se “Meico” mund të ketë kryer shkelje në përcaktimin e vendit ku do të kryhej demontimi, pasi depot e fshatit Gërdec nuk janë caktuar nga firma amerikane, e cila nuk ka kompetencë për një vendimmarrje të tillë. Ndërsa dyshimi i dytë i grupit hetimor është se ndërmarrja e Ministrisë së Mbrojtjes duhet të kryente kontrolle për kushtet e punës dhe sigurisë në fabrikën ku kryhej procesi i çmontimit të predhave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›