E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceremoni përkujtimore me rastin e 5 vjetorit të Uraganit Katrina

Presidenti Barak Obama viziton sot qytetin e Nju Orlinsit në Luiziana me rastin e 5 vjetorit të Uraganit vdekjeprurës, Katrina, që përmbyti një pjesë të madhe të qytetit dhe la pas dëme të mëdha në rajon.

Katrina goditi Luizianën më 29 gusht 2005. Mbi 1 mijë e 800 vetë gjetën vdekjen nga përmbytjet që pasuan kur u çanë pritat. Presidenti Obama do të flasë në Universitetin Xavier, i cili pësoi përmbytje të rënda nga stuhija. Ndërkaq, në të gjithë shtetet që u prekën nga Katrina janë zhvilluar ceremoni të ndryshme përkujtimore. Në komunitetin e vogël Chalmette, pranë Nju Orlinsit, banorët u mblodhën në kishën katolike për të kujtuar viktimat.

Ishte një fillim i zymtë, por edhe spiritual i aktiviteteve me rastin e 5 vjetorit të Uraganit Katrina.

Rreth 100 veta u mblodhën dje mbasdite në një kishë katolike në qytetin Chalmette të Louisiana, për një shërbesë përkujtimore për Katrinën.

E quajtur nga folësit si "Funeral për Katrinën", në qendër të shërbesës ishte një arkivol i mbushur me letra dhe kujtime për nder të viktimave të stuhisë, që çoi në përmbytjen e lagjeve të tëra të New Orleans dhe Shalmetin fqinj.

Ndjehem mirë që jam këtu. Kjo zonë nuk do ta harrojë kurrë Katrinën. Të afërm të mi banonin këtu para 5 vjetësh dhe humbën çdo gjë. Ata nuk mundën të vinin, prandaj unë vendosa të vij në vend të tyre, thotë një pjesëmarrëse në shërbesë.

Shërbesa e djeshme fetare ishte një prej disa ngjarjeve përkujtimore, që u zhvilluan një ditë para 5 vjetorit të Katrinës më 29 gusht, 2005.

Në New Orleans, lule u vendosën në një pikë përkujtimore në lagjen e shkatërruar Lower Ninth Ward.

Në këtë përvjetor udhëheqësit e bashkisë së qytetit do të marrin pjesë në një manifestim dhe marshim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›