Zgjedhjet, Gjiknuri: Pjesë e reformës të jenë KQZ-ja dhe sistemi
TIRANË Partia Socialiste kërkon garanci për reformën e ardhshme zgjedhore me qëllim që të eliminohen të gjitha problemet, që u shfaqën në zgjedhjet e kaluara lokale. Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, deklaroi dje se pjesë e reformës duhet të jetë KQZ-ja dhe sistemi zgjedhor. “Një ndër to është dhe vetë roli i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili kërkohet në mënyrë unanime rikompozimi dhe të shikohet mënyra se si do të funksionojë. Problemi më i madh është edhe lista e zgjedhësve dhe identifikimi i tyre. Reforma mund të përmbledhë dhe elementë të tjerë të sistemit zgjedhor, të cilat kanë një diskutim tjetër politik, se çfarë i leverdis më shumë Shqipërisë, deri në çfarë hapësire dhe deri në çkufi mund të ketë ndërhyrje edhe në sistemin zgjedhor. Kjo pikërisht për të perfeksionuar sistemin përsa i përket votës së hedhur dhe mandateve të prodhuara”, - tha ai. Gjiknuri, i cili është edhe një nga të mandatuarit e PS-së për të negociuar për modalitetet e kësaj reforme, theksoi se ende nga PD-ja nuk janë caktuar negociatorët për të diskutuar mbi modalitetet se si do të funksionojë komisioni për reformën. “Partia Socialiste pret nga mazhoranca që ajo të tregojë vullnet për reformën, të tregohet e hapur për propozimet e opozitës siç edhe ka deklaruar vetë kryeministri, si dhe të tregohen më fleksibël për propozimet e arsyeshme të opozitës, të cilat kanë marrë dhe mbështetjen institucioneve të specializuara siç është ODIHR dhe Komisioni i Venecias”, - tha Gjiknuri.