Ceremonia e pritjes së Luiza Gegës, Rama i përgjigjet kritikave: S’duan t’ia dinë se çfarë është bërë për sportistët

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kritikave për pritjen që iu bë kampiones së Europës, Luiza Gega në Tiranë.
Në një postim në Twitter, Rama shkruan se kritikat bëhen të pabazuara në fakte mbi atë se çfarë është bërë prej kohësh nga qeveria për të mbështetur sportistët. Madje, sipas kryeministrit, edhe vetë kampionia Gega ka pranuar se gjithçka ka ndryshuar në mbështetje të saj.
“Si i bëhet kur s’duan t’ia dinë për faktet mbi çka është bërë, jo sot po prej kohësh tanimë për të mbështetur sportistët e kalibrit europian? Si i bëhet kur s’duan t’ia dinë as kur kampionia vetë thotë që gjithçka ka ndryshuar në mbështetje të saj? I bëhet si Luiza:Vrapo më shpejt!”, shkruan Rama.
Gega u prit me një ceremoni nderimi këtë të martë, pas shpalljes së saj kampione e Europës në garën 3000 metra me pengesa. Ajo u vlerësua me titullin më të lartë të “Kordoni i madh me Yllin për Mirënjohje Publike”, që iu dorëzua nga kryeministri Edi Rama.
/rtsh.al/