E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama takon zyrtarisht ambasadoren e BE: Falë Luizës sot Gjermania është pas Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama është takuar sot zyrtarisht me ambasadoren e re të BE në Tiranë, Christian Hohmann.  Ambasadorja nga Gjermania ka marrë zyrtarisht detyrën më 5 gusht, duke marrë postin që më parë e ka mbajtur ambasadori Luigi Soreca.

Ambasadorja e BE ishte e pranishme në ceremoninë e nderimit të sportistet Luiza Gega, e cila u shpall kampione e Europës në garën 3000 metra me pengesa, duke lënë në vend të dytë atleten gjermane.

Mes batutave, Rama tha se nuk ndodh që Gjermania të jetë ndonjëherë e dyta, por sot falë Luizës Shqipëria është para Gjermanisë.

“Kjo arritje të lë pa fjalë. Më vjen mirë që rastësia e deshi që sot unë të prezantohesha edhe me ambasadoren e re të BE në Shqipëri, të cilës i kërkova të qëndrojë për të komentuar një kampione europiane që mundi një gjermane. Nuk na ndodh shpesh që të lëmë pas Gjermanisë. Para ca kohësh dikush thotë jemi të dytët pas Gjermanisë. Por sot në këtë sallë, Gjermania është e dyta pas Shqipërisë”, tha Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›