E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceremonia me rastin e 100 vjetorit te krijimit te Forcave te Armatosuara

Në ditën e 100-vjetorit të krijimit të FA Shqiptare Ministria e Mbrojtjes ka zhvilluar një sërë aktivitetesh të rëndësishme. Kështu në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes u zhvilluan me rradhë, konferenca shkencore, parada ushtarake, inaugurimi i Muzeut Historik të Ushtrisë, për tu pasuar me një tjetër aktivitet pasditen e sotme, konkretisht me koncertin me rastin e 100-vjetorit të FA. 

Të pranishëm në ceremoninë dedikuar pikërisht 100 vjetorit të krijimit të këtyre forcave ishin personalitete të lartë.   Për Presidentin Nishani ky moment është një gur i rëndësishëm kilometrik në vendin tonë.
“Si pjesë e festimeve në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë kjo është një ditë për të reflektuar për arritjet që janë bërë  dhe të hedhin vështrimin për rrugët që kemi përpara. Shqipëria duhet të krijojë ushtrinë e vogël më të mirë në NATO. Kërkohet më shumë punë organizative dhe intelektuale për të arritur pritshmëritë tona me aleatët e NATO”, vuri në dukje kreu i shtetit, i cili vlerësoi rolin historik që kanë dhënë Forcat e Armatosura në mbrojtje të sovranitetit të vendit.
Ndërkohë që në vlerësimin e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami Forcat e Armatosura kanë pësuar një transformim rrënjësor, të denjë për një vend të NATO.
“Mirënjohje qeverive të vendit mik SHBA dhe partnerëve që kontribuuan për modernizimin e FA. Ne arritëm të transformojmë rrënjësisht FA, ndërtuam ushtri euroatlantike, qindra mijëra tonë materiale të rrezikshme i asgjësuam, e sot kemi ushtri të pastër dhe një Shqipëri më të sigurtë”, u shpreh ministri  Imami, gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni.
Ndërkohë që Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshi mori titullin "Nderi i Kombit” nga Presidenti, Bujar Nishani.   Gjeneral Gjunkshi vlerësoi arritjet që Forcat e Armatosura kanë bërë gjatë këtyre viteve. “Sot mbushin 100 vjet, histori me vështirësi e sfida, por është historia jonë. Kujtojmë sot gjithë historinë e luftës për mbijetesë, zhvillim e prosperitet, kujtojnë kontributet e bëra në historinë, atë që e themeluan këtë forcë”, deklaroi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Historiku i FA
6 ditë pas shpalljes së Pavarësisë në 6 dhjetor 1912 për herë të parë në historinë shekullore të vendit u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare apo Ministria e Luftës, e drejtuar nga Mehmet Dërralla (Tetova) dhe Shtabi i Përgjithshëm i drejtuar nga Major Ali Shefqet Shkupi. Në përbërje forcat aktive, rezervë ato vullnetare si edhe Xhandarmëria ishin 12 000 personel gjithsej.  Ushtria Shqiptare njohu reforma dhe investime, deri në pushtim fashist në 07 Prill 1939, ku bashkë me shtetin u bënë inekzistent dhe Forcat e tij të Armatosura. Gjatë luftës së dytë botërore forcat e armatosura shqiptare u organizuan në luftën ndaj nazifasgizmit, Forca më e madhe ishte Ushtria Antifashiste Vullnetare Nacional Çlirimtare me 24 Brigada, 8 divizione dhe 3 korparmata dhe afërsisht me 45 000 luftëtarë që nëntor 1944 deri 70 000 vetë ose 7% e popullsisë  Më 9 korrik 1945 ajo mori emrin Ushtria Kombëtare dhe numri i saj u reduktua në 40 000 Në vitin 1951 Ushtria krijoi për herë të parë aviacionin ushtarak, në vitin 1953 armën e Kimisë, shërbimin e Komunikimit, Zbulimin etj. FD, tanket, artileria, transporti, logjistika dhe disa shërbime të tjera u riorganizuan. Gjate periudhës së Luftës së Ftohtë, në vitet 70ë dhe 80ë, Forcat e Armatosura patën një rritje të madhe numerike duke arritur shifrën 61 000 forca aktive, dhe 260000 rezerviste dhe një numër i madh i Forcave Vullnetare.  Në vitet 90ë me ndryshimin e sistemit politik, edhe Ushtria u bë pjesë e këtyre ndryshimeve. Reforma në FA filloi me vendosjen e kontrollit civil në to, heqjen e simboleve komuniste nga uniformat ushtarake dhe zëvendësimi e tyre me simbolet kombëtare, vendosjen e gradave dhe depolitizimin e departizimin.  Megjithëse në vitin 1997, si pasojë e krizës, FA rezultuan më të dëmtuarat, në një kohë relativisht të shkurtër ato u ringritën dhe u bënë kontribuuese të denja për sigurinë e paqen në rajon e më gjerë.  Gjeografia e kontributeve të FA në mbështetje të paqes e sigurisë i kaloi kufijtë e rajonit të Ballkanit për tu shtrirë edhe përtej kontinentit. Proceset integruese të FA të nisura në vitin 1992 u ridimensionuan pas vitit 1997, në përputhje me realitetet e krijuara, dhe arritën pikën e tyre kulmore me ftesën për antarwsim në NATO që vendi ynë mori në Samitin e Bukureshit në prill 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›