Ceremonia në Himarë, bust me flamur grek për Gumën
Në Himarë hera-herës, ftesa dhe mikpritja duket se ngelen te plazhi. Teksa në bregdet mund të marrësh shumë thjesht opinione, apo deti lejon të flitet hapur e si miq, kur futesh në qytet e ndien veten si të huaj. Nuk kuptohet nëse ndryshimi i gjuhëve bën barrierën, apo teksa nuk pyet për dhoma me qira ndesh indiferentizëm. Më shumë se asnjëherë kjo ndihet kur debatet rrahin te çështjet etnike. Komunikimi mbyllet dhe… gjithsecili shikon punën e tij. Kështu u janë drejtuar sot vendësit përfaqësuesve të mediave të mbledhur në Himarë, teksa plot një vit më pas debatet kthehen në të njëjtën pikë. “Aksident, apo Guma foli në gjuhën greke?” “Shikoni punën tuaj dhe mos u afroni. Është çështja jonë”- ishin të vetmet fjalë që u drejtuan shqip gazetarëve mëngjesin e sotëm. Në ceremoninë e njëvjetorit një bust i tij është sjellë nga Greqia për t’u vendosur në ambientet e kishës, i mbuluar me flamur grek dhe shoqëruar me himnin grek. Ceremonitë
Sot në qytetin e Himarës është përkujtuar njëvjetori i vdekjes së 35-vjeçarit Aristotel Guma, i cili humbi jetën vitin e kaluar në një aksident rrugor, por që u interpretua nga qarqet nacionaliste si vrasje për motive etnike. Familjarët mëngjesin e djeshëm zhvilluan një ceremoni përkujtimore për 35-vjeçarin, nisur nga mesha, në varreza që prej orës 08:00, e më pas kanë shkuar në kishën e Himarës, ku ceremonia ka vazhduar edhe disa orë. Të rinj të veshur me kostume popullore të zonës kanë qëndruar pranë bustit të veshur me flamur grekë. Busti i Aristotel Gumës ka ardhur nga Greqia dhe është vendosur në kishë. Pak ditë më parë në Himarë është zhvilluar një debat në lidhje me këtë çështje, pasi OMONIA propozoi vendosjen e një busti për Aristotel Gumën, ndërsa Këshilli Bashkiak nuk ka miratuar lejen për ndërtim. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule; kryetari i OMONIA-s, Vasil Bollano, dhe zyrtarë të ambasadës greke në Tiranë. Fatmirësisht nuk ka pasur tentativa për bllokimim e rrugës, apo përplasje të mundshme me policinë, siç ndodhi një vit më parë, në kulmin e sezonit turistik, ku për ditë me radhë u bllokua aksi Vlorë-Himarë, në shenjë proteste për vdekjen e 35-vjeçarit Aristotel Guma. Ceremonia e mëngjesit është bërë në varreza. Kanë qenë kryesisht familjarë dhe të afërm të viktimës, të cilët kanë kryer nderimet e përkujtimit për një të ndarë nga jeta. Vëmendja më pas është përqendruar në kishë. Njerëzit e mbledhur aty kanë pritur për më shumë se një orë e gjysmë për ceremoninë e vendosjes së bustit në ambientet e brendshme të kishës. Busti ka qëndruar për një kohë të gjatë i mbuluar me flamurin grek. Ceremonia vijoi me mbajtjen e një fjalimi në greqisht. Në ceremoni kishte përfaqësi nga prefektura e Korfuzit, përfaqësi nga parti mbështetëse të “Omonia”-s. Në fund ceremonia u mbyll me himnin grek. Të pranishmit janë larguar po kaq qetësisht për në shtëpinë e tyre.
Policia
Nisur nga përvoja e një viti më parë, kur vdekja e Gumës në Himarë solli trazira, por edhe diskutimet për vendosjen e bustit të tij në vendin ku ndodhi aksidenti, deri me gjasa bllokimin e rrugës, policia e Vlorës ka “zbarkuar” drejt Himarës. Efektivë policie, të veshur edhe civilë kanë qenë sot prezent në Himarë, për t’i paraprirë çdo situate. Por situata ka qenë shumë e qetë. Duket se debatet për vendosjen e bustit kanë mbetur brenda familjarëve dhe përfaqësuesve të rretheve nacionalistë. Pak ditë më parë për vendosjen e bustit janë tentuar mbledhja të firmave, por gjithçka mbeti në kuadrin e një diskutimi. Dje ka qenë e panevojshme çdo ndërhyrje e policisë, përkundrazi situata në Himarë ka qenë tërësisht e qetë.