E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eliza Dushku: Do promovoj turizmin shqiptar

SHKRUAN: Ilda Lumani 08-08-2011 13:35

“Faleminderit”, “Të dua”, “Të lutem”... janë fjalët që Eliza nuk i ka harruar që nga vizita e saj e parë në Tiranë, ndërsa premton se deri në fund të qëndrimit të saj në Shqipëri fjalori me fjalë shqip do të pasurohet edhe më! Ka qenë mjaft intensive dita e diel për artisten hollivudiane Eliza Dushku. Takimi me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, tërhoqi edhe vëmendjen e medias, ndërsa vetë artistja i kishte dhënë rëndësinë e duhur këtij takimi zyrtar të saj...

Takimi me Bashën

Makina e saj është edhe një garderobë. Për shkak të aktivitetit të ngjeshur të artistes, asaj i duhet që edhe veshjet t’i ndërrojë rrugës. Kështu ka ndodhur dje, kur pasi Eliza ka vizituar Qendrën Tregtare “Coin” në kryeqytet, është ndërruar në makinë për të takuar kryetarin e baskisë, Basha. Ka hequr xhinset dhe kanotierën portokalli dhe ndërsa ka zbritur nga makina është shfaqur tejet sharmante. Me një kostum elegant të zi ajo ka treguar seriozitet (ndërsa u ka dhënë indirekt një leksion gjithë të pranishmeve, të veshura me veshje tejet verore). Takimi me kryetarin Basha më tej ka qenë tejet i këndshëm. Eliza i ka treguar Bashkës udhëtimin e saj të këndshëm nga Stambolli në Tiranë, prej nga vinte dhe kënaqësitë që kishte marrë në 24 orët e qëndrimit të saj në kryeqytetin shqiptar. “Unë jam shumë i lumtur që Eliza ndodhet sot në Tiranë dhe besoj se flas edhe në emër të gjithë qytetarëve të Tiranës, që e kemi pritur këtë vizitë me shumë kënaqësi. Të gjithë jemi entuziastë për vizitën e saj. Pavarësisht që do shërbejë për ta vendosur Tiranën fillimisht në hartën turistike të botës. Kam pasur nderin t’i propozoj sot dhe kënaqësinë që ajo pranoi, të jetë ambasadore nderi e Tiranës në botë e ngarkuar për artet, kulturën dhe turizmin”, u shpreh Basha menjëherë pas takimit me aktoren. Ndërsa aktorja në prononcimin e saj para medias tha se “Shqipëria është vend turistik. Kam vizituar deri tani Tiranën dhe njerëzit këtu janë shumë të mirë. Do filloj turin nga Korça, për të promovuar turizmin shqiptar me anë të një dokumentari”, shtoi aktorja. Përsa i përket kryetarit të Bashkisë, Basha, Eliza i shprehu atij simpatinë ndërsa theksoi se “Kam besim se kryetari i bashkisë është i ndershëm dhe do realizojë çfarë ka premtuar dhe unë do të bëj të pamundurën ta ndihmoj për çfarë i kam premtuar, që të promovoj Tiranën kudo”. Në emisionin kushtuar udhëtimit të Elizës në Shqipëri e Kosovë, Tirana dhe takimi me kryetarin e Bashkisë do të zërë një vend të posaçëm. Por ashtu siç vetë Eliza reflektonte një natyrshmëri, ajo do të komentonte edhe për njerëzit që kishte takuar, se i kishin bërë përshtypje “si njerëz të sjellshëm dhe të bukur”!

Kryetari Basha i dhuroi aktores Kullën e Sahatit të Tiranës, simbolikën e qytetit, si dhe i bëri të ditur se do t’i propozojë Këshillit Bashkiak për t’i dhënë titullin “Qytetare Nderi e Tiranës” dhe emërimin si “Ambasadore Nderi e Tiranës në Botë”. Kryebashkiaku e informoi aktoren e njohur për programin që ai ka për ta bërë Tiranën një qytet më të mirë për të gjithë dhe e njohu aktoren me planet për përmirësimin e cilësisë së jetës, për krijimin e hapësirave të gjelbra, ndërtimin e më shumë shkollave, si dhe për përpjekjet për ta bërë Tiranën një destinacion tërheqës për turizmin dhe biznesin. Basha e shoqëroi Eliza Dushkun në vizitën që ajo bëri te Muzeu dhe Sahati i Tiranës, si dhe bëri me të një shëtitje në Bulevardin e Tiranës.

Krah Elizës edhe në këtë takim ishte i pranishëm edhe promotori i kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jo vetëm, Fadil Berisha, aktori shqiptar Blerim Destani, vëllai i artistes dhe një pjesë e stafit që shoqëronte aktoren hollivudiane. Eliza sapo mbërriti në Tiranë ditën e shtunë, firmosi edhe kërkesën e saj për t’u pajisur me pasaportë shqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›