Cerrik, dy arrestime për abuzime me ujin
Përfundojnë në prangat e policisë, Kryetari i Shoqatës së Ujit dhe Sekretari i Shoqatës, shofer i kryetarit të Bashkisë Cërrik pasi akuzohen se në mënyrë të paligjshme duke falsifikuar dokumentet kanë përdorur ujin e Rezervuarit nr 1 në Cërrik për vaditjen e tokave të zonës për të përfituar paratë, kur ky rezervuar ishte prone shtetërore. Arrestimi i tyre është bërë pas mesnate nga agjentët e policisë kundër Krimit Ekonomik. Agron Bozi 31 vjeç dhe Neim Cano 43 vjeç, që të dy banues në Cërrik në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë përdorur dokumente të falsifikuara për të ushtruar aktivitet privat të shoqatës së përdorimit të ujit sh.p.k Bozi në përdorimin e rezervuarit të ujit, pronë shtetërore e ish NB Cërrik. Nga ana e policisë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme provash shkresore të cilat nga verifikimi që është bërë rezultojnë të falsifikuara. Dy shtetasit e arrestuar akuzohen për falsifikim të dokumenteve zyrtare, shpërdorim detyre, kundërshtim të punonjësve që kryejnë funksione shtetërore në bashkëpunim. 31 vjeçari Bozi ka lidhje familjare me një prej të arrestuarve të akuzuar si shkaktar të masakrës së gardistëve në vitin 1997, Ahmet Bozi.