Unioni për Mesdheun, flet Merkel
Kancelaria gjermane, Angela Merkel shprehu besimin se lançimi të dielën i "Unionit për Mesdheun" do të sjellë "një dinamikë të re" në marrëdhëniet mes Evropës dhe vendeve që lagen nga Mesdheu, në një mesazh video të transmetuar sot në internet. I nisur në vitin 1995 mes BE-së dhe vendeve të jugut, "procesi i Barcelonës ka nevojë për një dinamikë të re. Ne duam të flasim në të ardhmen si i barabarti me të barabartin për problemet me vendet që lagen nga Mesdheu dhe të kontribuojmë kështu për zgjidhjen e problemeve të Evropës", siç janë fluksi masiv i imigrantëve, tha ajo. BE-ja mund të kontribuojë "duke forcuar zhvillimin ekonomik të vendeve në jug të Mesdheut, duke përmirësuar mjetet e tyre edukative dhe zhvillimin e infrastrukturës në këto vende. Për këtë, Komisioni ka fondet e nevojshme që ne duam t'i investojmë në projekte të mira", shpjegoi kancelaria. Vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës së Veriut "kanë sigurisht një interes të madh në zgjidhjen e konfliktit të Lindjes së Mesme, që do të mundësonte arritjen e një niveli më të lartë stabiliteti në rajon", shtoi ajo. Ajo u përqendrua veçanërisht tek Algjeria, ku do të shkojë më 16 dhe 17 korrik, me qëllim forcimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike. Presidenti francez, Nicolas Sarkozy do të lançojë të dielën në Paris projektin e tij far të "Unionit për Mesdheun" me drejtuesit e më shumë se 40 vendeve, megjithë dyshimin për një funksionim të mirë të një organizmi të tillë dhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme. Angela Merkel mori iniciativën për të denoncuar publikisht rreziqet e tij dhe arriti të impononte një version më të zbutur të tij, për të shmangur shpërbërjen e institucioneve evropiane.