Ura kulturore mes Shqipërisë dhe Ukrainës ngrihet në skenën e TKOB-së

Tirana do të jetë nesër, më 19 dhjetor 2025, skena e një shfaqjeje artistike të veçantë që bashkon kulturën shqiptare me atë ukrainase, duke sjellë në qendër të vëmendjes diasporën shqiptare në Ukrainë. Në orën 17:00, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, trupa artistike e TKOB-së do të performojë së bashku me grupin artistik ukrainas nga fshati Karakurt, një komunitet i rrallë i diasporës shqiptare që prej shekujsh ka ruajtur gjuhën, këngën dhe traditat shqiptare.
Kjo shfaqje përfaqëson një ngjarje kulturore të rrallë, ku arti shndërrohet në një urë lidhëse mes popujve, historisë dhe identitetit të përbashkët, duke dëshmuar fuqinë e kulturës për të ruajtur dhe përcjellë trashëgiminë ndër breza.
Eventi do të zhvillohet në prani të përfaqësuesve të trupave diplomatike, institucioneve shqiptare, si dhe personaliteteve të jetës kulturore dhe publike. Një shfaqje që nuk duhet humbur, një histori që meriton të tregohet.
/rtsh.al/