E Diel, 1 Nëntor 2026

Chako Paul City, qyteti misterioz i grave

Me sa duket, biondet nordike përfaqësojnë tashmë një vlerë universale. Këtë e tregon më së miri fakti që janë shumë të kërkuara dhe të vlerësuara jo vetëm nga anët tona, por edhe në Lindje, ku kohët e fundit një lajm i çuditshëm po çmend meshkujt kinezë. Pas promocionit të Danimarkës, ku me sa duket biondet në vend janë "të lehta" dhe menjëherë të disponueshme për turistët, kësaj here është radha e qytetit të lezbikeve suedeze. Me thënë të drejtën, kësaj here "vendi pritës" nuk ka faj (ose të paktën kështu duket), duke qenë se gjithçka ka lindur nga një media kineze ("Harbin neps"), e cila ka shpërndarë lajme pikante dhe provokuese mbi një qytet misterioz të ashtuquajtur Chako Paul City, që gjendet në veri të Suedisë, banohet vetëm nga gra dhe të gjitha janë lezbike. E quajnë Chako Paul City, por nuk është i shënuar në asnjë hartë, madje as në atë të CIA-s. Në Suedi askush nuk e ka parë, në Europë askush nuk ka dëgjuar të flitet për të. Por, pavarësisht kësaj, thuhet se aty jetojnë 25 mijë persona, më shumë se në çdo qytet tjetër të Europës veriore. Të gjitha janë gra, të inatosura për shkak të mungesës seksuale dhe një pjesë e mirë lezbike nga "halli". Ideja e kësaj turme "të pakënaqur" ka eksituar pa masë shpirtrat puritanë të kinezëve, ndaj më shumë se një milion të tillë kanë kontrolluar sajtet e internetit dhe agjencitë e udhëtimit për të kërkuar të mbërrijnë atje ku thuhet se femrat bëkan namin. Gratë e Chako Paul City janë bionde, bukuroshe dhe energjike, dhe punojnë në industrinë e drurit. Për ndonjë takim të shpejtë me ndonjë të dashur duhet të dalin fshehurazi nga qyteti dhe përpara se të kthehen, të ndjekin një rit purifikues, ndoshta një banjë apo diçka tjetër më komplekse. Qyteti, sipas lajmeve të shpërndara në Kinë nga disa televizione dhe agjencia e shtypit "Xinhua", mendohet të jetë ndërtuar në vitin 1820 nga një vejushë e pasur që urrente burrat dhe investoi pasurinë e trashëguar nga një prej tyre në ndërtimin e një komuniteti sekret të përbërë vetëm nga gra, që jetonin dhe vazhdojnë të jetojnë duke mbjellë, prerë dhe shitur pemë. Ndalimi i hyrjes për meshkujt bëhet nga dy bionde me trup gjigand, që janë njëkohësisht truprojat e qytetit. E njëjta panoramë është edhe në kështjellën e tij. Të pafytyrët që do të provonin të futeshin, rrihen për vdekje. Këto janë zërat që qarkullojnë në internet, më kot të përgënjeshtruara nga shoqata suedeze e autoriteteve lokale.

"Chako Paul City nuk ekziston, vazhdon të përsërisë në telefon zëdhënësi. Me 25 mijë banorë do të ishte qyteti më i madh i Suedisë veriore dhe nuk arrij ta imagjinoj se si mund të qëndrojë i fshehur për më shumë se 150 vjet". Fjalë të kota. Shtypi kinez vazhdon të japë informacione mbi vendin mitik dhe agjencitë e udhëtimit i dërgojnë kureshtarët në qytetin më të afërt, Umea, ku në mënyrë të habitshme turizmi po rritet me ritme të shpejta, edhe pse nuk ofron shumë gjëra, përveç qendrave të saj të bioteknologjisë dhe nominimit si kryeqyteti europian i kulturës në vitin 2014. Por, asgjë nuk arrin t‘i ndalë kinezët, të gatshëm të paguajnë çdo lloj çmimi, vetëm që të shkojnë të ulen në tavolinën e ndonjë restoranti, apo të futen në shtratin e ndonjë hoteli, së bashku me ndonjë prej atyre grave që, sipas asaj që shkruan shtypi kinez, "janë bërë lezbike sepse nuk arrinin të shkarkonin instinktet e tyre seksuale". Duken si imitues të dinastive të meshkujve, që kanë ushqyer legjendat më të çuditshme ndër shekuj, si ajo e ishullit në oqeanin Indian, që tregohet në Librin e Mrekullive të Indisë, një vepër arabe e shekullit X, ku rrëfehej se gratë vallëzonin nudo "duke kënduar si thëllëza" dhe kur zbarkonte një ekuipazh marinarësh, "pa u menduar gjatë i merrnin dhe i çonin në male për t‘u kënaqur papushuar, duke shfrytëzuar secilin prej tyre. Të martuarit vdisnin një nga një". Por e vërteta është se në Suedi as që e kanë idenë se ku gjendet ky qytet misterioz me 25 mijë banore femra. Nëse do të ekzistonte vërtet, do të ishte një prej qyteteve më të mëdha të veriut dhe me siguri që nga viti 1820 e deri më sot dikush do ta kishte zbuluar, ndoshta me "Google Maps". Edhe pse thuhet se meshkujt aty rrihen për vdekje, kinezët duket se nuk i pengon asgjë.

Por nëse debati për ekzistencën e Chako Paul City ka nisur të bëhet edhe më interesant, të gjithë e dinë që Suedia, pothuajse në të gjitha qytetet, është vendi ku femrat jetojnë si në parajsë. Gratë aty gjykohen në bazë të talentit dhe jo të gjinisë. Nëse je i zoti në atë që bën, shumë shpejt këtu mund të arrish në majë. Suedia, me një popullsi prej 9 milionë banorësh, ka një histori të gjatë për politikat miqësore ndaj femrave. Qeveria u ka dhënë femrave të drejta të barabarta që nga viti 1845. Në vitin 1901 ishte i pari vend në botë që futi programin për lejen e lindjes. Në 1958-ën kisha luteriane suedeze ndryshoi doktrinën e saj për t‘i lejuar femrat të bëheshin priftëresha. Sot, femrat politikane zënë gjysmën e Parlamentit në vend. Qëllimi për barazinë mes meshkujve dhe femrave nisi shumë herët: "Trajnimet antiseksiste" fillojnë që në kopsht, ku meshkujt inkurajohen të luajnë me kukulla, ndërsa femrat me makina. Në shkolla, lëndët për gatim, rrobaqepësi, punim metalesh dhe zdrukthuari janë të detyrueshme për të dyja sekset. Të gjitha vitet e edukimit, përfshi edhe kolegjin, janë falas dhe vajzat prej kohësh dalin më mirë se djemtë. Në vitin 2005, femrat përbënin më shumë se 60 për qind të studentëve në Suedi. Edhe pse pjesa më e madhe e grave suedeze janë të punësuara, vendi renditet në krye të klasifikimit për sa i përket numrit të lindjeve në Europë, kjo falë ligjeve për lejen e lindjes. Çiftet suedeze, si burrat ashtu edhe gratë, marrin 13 muaj leje lindjeje të paguar dhe tre muaj të tjerë me një tarifë fikse. Nga këto, 60 ditë duhet të merren nga nëna dhe 60 nga babai, ndërsa pjesa tjetër ndahet sipas zgjedhjes së tyre. Ndarja e barabartë e përgjegjësive është e detyruar me ligj. Barazia mes femrave dhe meshkujve shtrihet në shumë zona të tjera në Suedi. Sportet për femrat jepen po aq sa ato të meshkujve në televizion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›