Shpella e Pëllumbasit, e vizitueshme për turistët
Shpella e Pëllumbasit, ose ndryshe Shpella e Zezë, një prej gjashtë shpellave karstike më të njohura të Europës, tashmë ka një infrastrukturë të përshtatshme; me një shteg të rrethuar nga parmakët e drurit, tabela udhëzuese, si dhe vendpushime për turistët, përgjatë 2.5 kilometrave që të çojnë drejt saj. Shpella e Pëllumbasit, e ndodhur veçse 22 kilometra larg Tiranës, në të majtë të rrugës automobilistike Tiranë-Elbasan, është një prej "shtëpive" më të hershme të epokës së neolitit, e deri te periudha e bronzit dhe e hekurit. Për të shkuar atje nevojiten rreth 30 minuta ecje në këmbë nga fshati Pëllumbas, paralel me lumin Erzen. Sipas Institutit të Arkeologjisë, Shpella e Pëllumbasit ka formuar degëzime të shumta, përgjatë mijëra vitesh, ku edhe janë formuar stalaktite dhe stalagmite të shumëllojshme. Në fund të shekullit të kaluar, kjo shpellë është përmendur në disa shkrime të Kostandin Kristoforidhit mbi Tiranën, të cilat kanë sjellë dëshmi për vendndodhjen e saj, por askush nuk e ka ditur vendndodhjen e saktë, derisa u zbulua në vitin 1995 nga specialistët e Shoqatës Didaktike Shkencore Speleologjike Shqiptare.