Nënë Tereza kujtohet me këngë në TKOB
Një paradite muzikore i ka kushtuar Teatri i Operës dhe Baletit Ditës së Lumturimit të Nënë Terezës. Një koncert me pjesë të zgjedhura klasike të kompozitorëve më të njohur botërorë si Shubert, Verdi, Bah, Puçini është organizuar në hollin e institucionit. "Perëndeshë e dëlirë", "Ave Maria", "Imazhi i saj", "Mëshirë, respekt, dashuria" etj., janë interpretuar nga solistët e TOB-it si Marjana Leka, Vikena Kamenica, Erlind Zeraliu, Ylber Gjini, Lindita Kotorri, Eva Golemi dhe kori i Teatrit të Operës. Programit i janë shtuar edhe dy këngë polifonike, "Ku vate ti" dhe "Këngë për nënën", interpretuar nga Irini Qirjako dhe grupi polifonik i Ansamblit Popullor. Me rastin e Ditës së Lumturimit të Nënë Terezës, aktivitete të tjera ishin parashikuar nga Teatri Kombëtar, Galeria Kombëtare e Arteve, Arkivi i Filmit dhe Qendra Kulturore e Fëmijëve.