E Shtunë, 31 Tetor 2026

Champions, Interi kërkon fitoren e parë pas një viti

MILANO- Liga e Kampioneve do të luajë të martën dhe të mërkurën ndeshjet e treta në grupe, që pritet të vendosin jo pak përsa u përket kualifikimeve për në turin tjetër. Ndeshja më delikate duket ajo mes Interit dhe Dinamos së Kievit, me zikaltërit që kërkojnë të arrijnë fitoren e parë pas një viti. Skuadra e Hoze Murinjos nuk fiton në Champions League që prej takimit me qipriotët e Anorthosis Famagusta në tetor të 2008-ës në Milano, ndërsa këtë sezon kanë marrë dy barazime, me Barcelonën dhe Rubin Kazan. “Janë ende 4 ndeshje, 12 pikë në lojë, kështu që ndeshja me Dinamon e Kievit nuk është decizive”, deklaroi Murinjo në konferencën e fundit për shtyp. “Pas Xhenoas, mendoj se mënyra më e mirë për të përgatitur sfidën e Champions League ndaj ukrainasve të Dinamos nuk është as shplodhja dhe as ndryshimi i lojtarëve, por alegria në skuadër. Pas asaj fitoreje 5-0 të gjithë ishin të lumtur dhe kjo është mënyra më e mirë për të përgatitur një sfidë”, u shpreh portugezi. Për takimin e sotëm rikthehen Eto e Milito, ndërsa Kambiaso mbetet ende në dyshim. Murinjo ndërkohë do të ketë përballë Andrij Shevçenkon, një sulmues me të cilin nuk e ka lidhur asnjëherë një miqësi e mirë që nga koha kur ishin te Çelsi. Madje, Sheva mund të ketë qenë një nga arsyet përse portugezi la “Stemford Brixh” në shtator të vitit 2007. “Sheva është Sheva, është futbollisti më me shumë gola në Champions, pas Raulit, - deklaroi ai. – Dinamo është një skuadër që ka gjithçka: ka strukturë fizike impresionuese, lojtarë shumë të mirë, një organizim të shkëlqyer dhe një trajner tepër cilësor. Pastaj, përpara ka dy sulmuesit më të mirë të Ukrainës, ku përveç Shevës luan edhe një i ri i talentuar si Milevski”, shtoi Hoze Murinjo. Interi vuan jo pak në ndeshjet brenda në Champions, por trajneri e ka kurën: “U kam thënë lojtarëve të mos lexojnë asnjë gazetë”.

CHAMPIONS
Të martën
(E) Debreceni-Fiorentina
(E) Liverpul-Lion
(F) Barcelona-Rubin
(F) Inter-Dinamo Kiev
(G) Rejnxhërs-Unirea
(G) Shtutgart-Sevilja
(H) Olimpiakos-Standart
(H) Alkmar-Arsenal

Të mërkurën
(A) Bordo-Bajern
(A) Juventus-Makabi
(B) CSKA-Mançester
(B) Volfsburg-Beshiktash
(C) Real Madrid-Milan
(C) Zyrih-Marsejë
(D) Çelsi-Atletiko
(D) Porto-Apoel
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›