E Shtunë, 31 Tetor 2026

Champions reagimet pas shortit

Të luash me Barcelonën është gjithmonë emocionuese. Por, reagimi i Leonardos, drejtorit sportiv të Paris Saint Germanin i ka kaluar të gjithë parashikimet.

“Ana nuk do më bësh pyetje. Atëherë po të bëj një unë. A do të martohesh me mua? Shiko se duhet të më përgjigjesh. Mjafton të thuash po, nuk është aq e vështirë”

Ky ishte propozimi live për të fejuarën e tij, prezantuesen Anna Billo. Në fund, këmbëngulja u shpërblye.

“Jam shumë serioz. Në rregull çfarë? Në short na ra Barcelona, tani hajde bëjmë edhe dasëm. Të puth, atëherë është po. Do të bëjmë dy ceremoni, në Milano dhe Brazil”.

Më i përmbajtur reagimi nga kampi katalan.

“Na pret një ndeshje shumë e vështirë, sepse PSZH po kalon një sezon të mirë. I kemi ndjekur, pasi aty luajnë Ibrahimovic dhe Maxuell, dy ish-lojtarët tanë. Barcelona nuk është favorite për ta fituar Champions-in”.

Në sfidën tjetër të madhe të çerekfinaleve, te Juventusi premtojnë betejë.

“Bayerni ishte një prej skuadrave më të forta që mund të kishim përballë. Ata janë mësuar të luajnë prej vitesh në këto nivele. Do të jetë një ndeshje mes dy ekipeve shumë të forta dhe presim një betejë të bukur”.

Gjermanët me të drejtë ndihen favoritë.

“Juventusi është një skuadër shumë e mirë që nuk ka humbur asnjë ndeshje dhe u kualifikua me rezultatin 5-0 me Celtic. Ata janë kampionët e Italisë, por ne i kemi të gjitha mundësitë të kalojmë në gjysmëfinale”.

Krejt ndryshe në Madrid, ku shfaqen të kujdesshëm.

“Luajmë në çerekfinalet e Champions dhe nuk ka kundërshtarë të lehtë. Është një sfidë e vështirë. Galatasaray tregoi me Schalken se ka një ekip cilësor. Ndeshjen e parë e luajmë në shtëpi dhe duhet të marrim një rezultat pozitiv”.

Ndryshe nga edicioni i kaluar, për të përcaktuar çiftet gjysmëfinaliste UEFA do të organizojë një tjetër short.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›