E Shtunë, 31 Tetor 2026

Champions, short “ferri” për Milanin

ITALI- Një short i denjë për sfida kampionësh, me spektakël të garantuar që në “play-off ”, dhe i nxehtë, për futbollin më magjepsës të globit. Goglat e Nionit u treguan kapriçoze me emrat e mëdhenj, duke na propozuar që në fazën e “play-off ”-it një përballje si ajo mes Milanit dhe PSV Eindhovenit, dy fituese të Champions-it në të kaluarën, për më tepër dhe gjysmëfinaliste të edicionit 2006-2007, kur kuqezinjtë arritën të shkonin në finale përpara se të fitonin trofeun ndaj Liverpolit. Ndeshja e parë mes dy ekipeve do të luhet në “Philips Stadion”, më 20 gusht, ndërsa e kthimit një javë më pas, në Milano. Gjithashtu, një duel i zjarrtë mund të konsiderohet dhe ai mes Fenerbahçes dhe Arsenalit, ndërsa derbi i fqinjëve është ai që do të luhet mes Real Sociedadit, të rikthyer pas një dekade në Champions, dhe francezëve të Olimpik Lionit. 

DEBUTUESIT
Interesant shfaqet dhe çifti mes Shalke 04 dhe Metalist Kharkiv. Skuadra rivale e Skënderbeut në raundin e tretë, Shakhtar Karagandi do të përballet me skocezët e Sëlltik Gllasgou. Nëse Skënderbeu do të kualifikohej në atë raund, atëherë do të kishim një përballje me legjendën skoceze, por ja që fati nuk e deshi. Ndërkohë që surpriza portugeze e Pakos de Ferreira do të ndeshet me Zenitin. Favoritë duken çekët e Pëlzenit ndaj Mariborit të Sllovenisë, edhe pse të dyja skuadrat kanë marrë pjesë në fazën në grupe të Champions League. Për herë të parë kampionët e Bullgarisë, Ludogorets Razgrad, kërkojnë të hyjnë në fazën në grupe, por përballë një ekipi si Bazel, do ta kenë tepër të vështirë. 

DATAT 
Ekipi i Fenerbahçes dhe ukrainasit e Metalist Kharkiv janë në pritje të vendimit të arbitrazhit sportiv të Lozanës, për përfshirjen e drejtuesve të tyre në skandalin e basteve, e cila, nëse do të vërtetohej, mund të kishte dhe pasoja mbi të dyja skuadrat. Takimet e para të fazës së “play-off ”-it të Ligës së Kampioneve do të luhen në datat 20 dhe 21 gusht, ndërsa ndeshjet e kthimit më 27 gusht. Më 29 gusht, në Montekarlo do të përcaktohet dhe shorti i fazës së grupeve. Ndeshjet e para të kësaj faze do të luhen në datat 17 dhe 18 shtator. Finalja e këtij kompeticioni do të luhet më 24 maj në Portugali, pikërisht në stadiumin e Benfikës. Fituesi në fuqi është Bajerni i Mynihut, i cili do të luajë Superkupën e Europës kundër Çelsit më 30 gusht.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›