Charlton Heston: Ikona e kinemasë që luajti të mëdhenjtë e njerëzimit
Charlton Heston ishte një nga figurat ikonë të kinematografisë së shekullit XX. I gjatë, misterioz, me tipare prej patrici, pamja e tij u lidh natyrshëm me figurat historike e biblike të filmave të famshëm historikë, që ai i interpretoi gjatë karrierës. Ai ishte Mojsiu në “Dhjetë urdhëresat”, që fitoi një çmim “Oskar”, mishëroi Ben Hurin dhe luajti me mjeshtëri të rrallë figurën madhështore të El Cid, Xhon Pagëzorit, Mikelanxhelos, Gjeneralit Gordon dhe Mark Antonit. Pavarësisht bindjeve politike ekstremisht të djathta, të gjithë pa përjashtim e vlerësojnë profesionalizimin dhe talentin e tij kinematografik. Në vitin 1991, ai u tha gazetarëve: “Gjatë karrierës sime nuk kam munguar asnjëherë, në asnjë ditë xhirimi, apo provash e shfaqjesh teatrore. Ky është një fakt që më bën shumë krenar”.
Charles Carter (Charlton ishte mbiemri i vajzërisë së të ëmës, ndërsa Heston mbiemri i njerkut) lindi në Ilinois në vitin 1923 por u rrit në Miçigan. Rolin e parë e pati në moshën 5-vjeçare në një teatër të vogël të organizuar në shkollë. “E kam dashur gjithmonë profesionin tim që i vogël, madje nuk e mbaj dot mend një kohë të jetës sime kur nuk kam qenë i dashuruar pas aktrimit”, rrëfen Heston. Studimet e larta i ndoqi për dramë dhe më pas shërbeu tre vjet te Forcat e Armatosura. Ndërkohë u martua dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore ai së bashku me të shoqen, Lidia Clark, aktore edhe ajo, luajtën dhe drejtuan një shfaqje teatrale në Karolinën e Veriut. Më pas u zhvendosën në Nju Jork dhe Heston, duke qenë se kishte një trup të gjatë e të bukur, u punësua si model. Debutimin e parë në Broduej e pati në pjesën “Antonio dhe Kleopatra”. Ndërsa debutimi i tij në kinematografi ishte ai në filmin “Qyteti i errët”, në vitin 1950, një rol në të cilin shfaqi shumë karizëm dhe talent. Pamja e jashtme dhe forca e brendshme shpirtërore bënë që shumë regjisorë të shihnin tek aktori i ri “heroin” që kërkonin për rolet e rëndësishme historike. Roli i parë biografik ishte ai i Andrew Jackson, në filmin “Zonja e Presidentit” në vitin 1953. Periudha që pasoi ishte ndër më të begatat e karrierës së tij. Brenda 3 vitesh realizoi 10 filma, ndër të cilët rolin e Buffalo Bills në “Pony Express”. Në vitin 1956, luajti Moisiun në filmin “Dhjetë urdhëresat”, i cili pati shumë sukses në atë kohë dhe që vazhdon të mbetet ndër më të mirët e realizuar ndonjëherë. Ende pa mbaruar mirë xhirimet e tij, Heston nisi një tjetër klasik të kinemasë “Prekja e Djallit” nga Orson Welles, që në fakt pavarësisht parashikimeve, rezultoi në një dështim. Më pas e ndreqi imazhin me filmin “Vendi i madh” dhe sigurisht u bë gati një “Zot” në Hollivud me rolin e Ben Hurit, i cili fitoi 11 çmime “Oskar” në vitin 1960. Ai u shpall filmi më i mirë dhe vetë Heston u nderua me çmimin si aktori më i mirë protagonist. Një nga fazat më interesante për filmin ishte parapërgatitja për rolin, kryesisht ajo fizike. Portreti i Ben Hurit ishte i përsosur. Për sa i përket regjisorit të filmit, Uyler, për Heston ai ishte më i miri i të gjithë regjisorëve me të cilët kishte punuar. Pas një fitoreje të tillë të madhe, Heston i lejoi vetes të drejtën për t’u shndërruar në tekanjoz e për të refuzuar rolet të cilat nuk ia mbushnin mendjen. I tillë ishte edhe propozimi për të luajtur së bashku me të famshmen Marilyn Monroe në filmin “Le të bëjmë dashuri”. E ndërkohë që luante, Heston ishte edhe një iniciator dhe mbështetës i lëvizjeve të ndryshme të vrullshme amerikane të kohës së tij. Ai bënte pjesë në grupin e aktorëve të zgjedhur e me emër si Marlon Brando, Paul Newman dhe James Garner të cilët morën pjesë në marshimin e Martin Luther King në Uashington, në kulmin e lëvizjes për të drejtat civile të vitit 1964. “Gjatë jetës sime të gjatë edhe si aktivist në mbështetje të disa çështjeve të drejta, një nga gjërat me të cilat krenohem është se ndenja përkrah një burri të madh si Martin Luther King”, ka shkruar më vonë Heston për atë periudhë të jetës së tij. Përfshirja politike e Heston-it tërhoqi shumë vëmendjen e mediave dhe kjo gjatë shumë viteve. Ai u bë një nga mbështetësit më të flaktë të Presidentit Reagan dhe madje edhe Margaret Thatcher në Britaninë e Madhe. Për sa i përket kinematografisë, filmi më i rëndësishëm pas Ben Hurit ishte “El Cid”, në të cilin luajti përkrah italianes mitike, Sophia Loren. Filmi bazohej në jetën dhe historinë e heroit legjendar spanjoll. Si të mos mjaftonte ky film epik me përmasa dhe njëherazi sukses të madh, Heston iu fut një tjetër aventure filmike. Këtë herë bëhej fjalë për “55 ditë në Peking”. Aktori luajti rolin e një komandanti ushtarak amerikan në Peking gjatë kohës së Revolucionit të Boksierit në vitin 1900. Por katalogimi i personazheve të famshëm nuk kishte marrë ende fund për Heston-in. Pak kohë pas përfundimit të filmit ai portretizoi Xhon Pagëzorin në filmin e Xhorxh Stivens-it, “Historia më e madhe e rrëfyer ndonjëherë”. E ndërsa filmi pati shumë kritika, një nga pikat e vetme të forta të tij ishte pikërisht interpretimi i Heston-it. Sa për filmin ai u cilësua si katastrofa më e madhe financiare e Hollivudit. Nisur nga portretizimet e mrekullueshme që Heston u bënte heronjve epikë, ai vazhdoi të ishte i përzgjedhuri i regjisorëve të ndryshëm për filma të tillë. Në vitin 1965, interpretoi autorin e kryeveprës së Kapelas Sistina, Mikelanxhelo në filmin “Agonia dhe ekstaza”. Më pas portretizoi edhe gjeneralin britanik, Gordon në muajt e fundit të jetës në filmin epik “Khartum”. Në këtë film luante edhe britaniku i famshëm Lorenc Olivier. Veç roleve të rëndësishëm e epokalë, Heston-in e gjejmë edhe në disa filma “western” që nuk ranë shumë në sy dhe sot thuajse janë harruar. Duhet të vinte viti 1968 që Heston të shfaqej sërish me gjithë shkëlqimin e pamjes dhe personalitetit të tij. Këtë herë nuk bëhet fjalë për një film të dështuar, por për një nga sukseset më të mëdha kinematografike. është filmi “Planeti i Majmunëve” në të cilin Heston luan një astronaut që kryen një udhëtim në kohë. Më pas ai mori pjesë edhe në pjesën e dytë të filmit që u xhirua në vitin 1970, me titull “Përtej planetit të majmunëve”. Duke qenë se rruga e filmave fantastiko-shkencorë i rezultoi e suksesshme, Heston vazhdoi pjesëmarrjen edhe në dy filma të këtij lloji. I pari ishte “Njeriu Omega” dhe i dyti “Unë jam legjenda”. Filmi që luajti në vitin 1973 “E gjelbra”, ishte, sipas fjalëve të tij, ndër më zbavitësit. Ai rrëfente për një periudhë të njerëzimit në të ardhmen ku qeniet njerëzore përjetonin një mungesë të madhe ushqimore, për shkak të mbipopullimit. Në vitin 1972, pas dështimit të rolit të një piloti, mori pjesë në filmin “Antonio dhe Kleopatra” dhe më pas në filmin të cilin e konsideronte si turpin e karrierës së tij “Thirrja e egërsisë”. Duket se në fillim të viteve ‘70, karriera e shkëlqyer e Heston-it kishte nisur të merrte tatëpjetën. Ylli i tij që shndriti për shumë vjet kishte nisur të perëndonte, ndaj edhe rolet e këtyre viteve nuk kanë mbetur në memorien emocionale të publikut, por thjesht renditen si emra që tashmë janë harruar. Në atë periudhë kritike të karrierës së tij Heston shkruante: “Vjen një moment në jetë kur duhet t’u thuash lamtumirë disa kohërave, emocioneve apo edhe personave që dikur kanë qenë të rëndësishëm e të dashur për ty. Ka vite që nuk luaj në ndonjë film që t’ia vlejë dhe druaj se koha e fitoreve të mëdha për mua ka marrë fund”. Vitet në vijim ai provoi edhe pozicionin e regjisorit në filmin “Nëna Lode”, të shkruar dhe prodhuar nga biri i tij i vetëm, i cili, si i ati, kishte zgjedhur si rrugë të jetës, kinematografinë. Por kjo përpjekje nuk rezultoi e suksesshme. Suksesin, më pas ia dhanë dy filma për të cilët nuk kishte menduar se do t’i rikthenin një pjesë të amës së dikurshme. Ato ishin “Ishulli i thesarit” në të cilin Heston luante rolin e kapitenin Xhon Silver dhe “Kryqëzata e gjakut”, ku luajti hetuesin e famshëm britanik Sherlok Holmes. Në vitet në vijim vendosi që t’i kushtohej më shumë teatrit ndaj luajti në Los Anxhelos “Makbethin” dhe një sërë pjesësh të tjera klasike. Edhe pse u mor me politikë, Heston deklaronte se nuk kishte aspak ambicie për një karrierë politike gjatë jetës: “Kam luajtur tre presidentë, tre shenjtorë dhe tre gjeni. I kam luajtur me gjithë zemër dhe jam përpjekur që t’i mishëroj. Mendoj se kjo mund të jetë e mjaftueshme për një njeri”
#