Pashka, kremtime në të gjithë vendin
Festa e Pashkëve është kremtuar me madhështi nga mijëra besimtarë katolikë dhe ortodoksë në të gjithë vendin. Në Korçë, Pashka ortodokse ka mbledhur mijëra besimtarë në sheshin përpara kishës katedrale “Ngjallja e Krishtit”. Mijëra qytetarë, por edhe emigrantë të cilët kishin ardhur enkas për këtë festë, janë bërë pjesë e ceremonisë fetare të rastit, duke pushtuar sheshin kryesor të qytetit. Pashka ortodokse në qytetin e Korçës, festohet masivisht jo vetëm nga besimtarët e krishterë, por edhe nga ata myslimanë, çka tregon bashkëjetesën e mirë fetare të komuniteteve fetare në qytetin juglindor. Mijëra besimtarë ortodoksë kanë pritur mesnatën e së shtunës, ringjalljen e Krishtit, pasi kanë ndjekur ceremoninë fetare të rastit të drejtuar nga mitropoliti Imzot Joani dhe kleri ortodoks. Mitropoliti i Korçës ndërsa u ka uruar besimtarëve këtë ditë të shenjtë e ka cilësuar atë si ditë për të kthyer shpresën për jetën dhe të ardhmen. Ndërsa në Shkodër, gjatë paradites së djeshme janë vazhduar meshat, si në kishat katolike dhe ato ortodokse, ku klerikët janë lutur për njerëzimin dhe që me ringjalljen e Krishtit të ringjallen edhe shpresat e çdo njeriu. Pushtetarët lokalë dhe përfaqësuesit e besimeve të ndryshme fetare kanë zhvilluar vizita urimi në selitë e kishës katolike dhe ortodokse në qytetin e Shkodrës. Ndërsa në Nartë të Vlorës, Pashka shënon hapjen e karnavaleve, festës më të madhe të kësaj zone, që tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme. Karnavalet që zgjasin 72 orë janë çelur paraditen e djeshme, si çdo ditë Pashke, dhe do të vijojnë për tri ditë rresht. Kjo festë fetare, ka nisur të kremtohet që prej vitit 1922, vit në të cilin janë zhvilluar për herë të parë karnavalet. Përveç maskave dhe veshjeve tradicionale, karakteristikë e karnavaleve janë vezët e kuqe të Pashkës, të cilat u shpërndahen vizitorëve dhe pjesëmarrësve.
#