Detyrat e shtëpisë, projekti social për fëmijët delvinjotë
DELVINë. Afrimi dhe barazimi në mundësitë për të qenë një nxënës i zellshëm edhe çdo fëmijë që nuk i ka kushtet e ushqyerjes dhe leximit në familje, tani nuk janë të pamundura dhe as ëndërr për fëmijët e 36 familjeve delvinjote. Këtë e ka kthyer në mundësi të prekshme ndërhyrja sociale dhe investimi më i fundit i fondacionit “Lidia” në Sarandë. Vetëm pak ditë më parë ky fondacion, i pranishëm prej 15 vjetësh në jetët e njerëzve në nevojë, ka çelur dyert e një qendre sociale, që i përngjan një shtëpie nga kushtet që krijon dhe ofron. 36 nxënës, kryesisht nga komuniteti rom në Delvinë, prej disa ditësh nuk kthehen pas mësimit në shtëpinë e prindërve të varfër, por në këtë qendër. Atje i pret një pjatë me gjellë që shijon dhe i ushqen jo si deri tani. Pas kësaj, 3 mësuese janë në dispozicion të tyre, duke u kujdesur për detyrat që ata kanë për ditës së nesërme të mësimit në shkollën “Kosta çavo” apo “Xhelal Berberi”, ku shkojnë edhe fëmijët e tjerë.
Edhe pse kanë vetëm dy ditë në këtë qendër, fëmijët që e frekuentojnë këtë qendër, thonë se njohin jo vetëm mësueset e tyre “të pasdites”, por edhe drejtorin e fondacionit “Lidia”, Ibrahim Barjamin, atë mjekun e përkushtuar për jetët njerëzore të atyre që i kanë më të ndjeshme e më të mëdha mungesat. Duke folur për projektin drejtor Bimi shprehet entuziast për atë që ai mundëson, duke shpjeguar se është një projekt krejt i veçantë për ndihmesën që jep në barazimin e mundësive për të mësuar edhe të fëmijëve që janë kryesisht nga familje rome delvinjote. “Edhe emri i projektit, i quajtur “Detyrat e shtëpisë”, është gjithashtu një gjetje, shprehet ai, por mbi të gjitha vlerëson atë që ai përmbush.
-Thelbi i tij qëndron në atë që ka nisur të bëhet në këtë qendër me 36 fëmijët e parë. Ata nuk shkojnë detyrimisht në shtëpi pas orëve të zakonshme të mësimit në shkollë, por vijnë në këtë qendër, ku hanë drekën falas dhe u krijohen të gjitha kushtet që të kryejnë detyrat e shtëpisë dhe të bëjnë studimin e mësimeve për të nesërmen, në kujdestarinë e 3 mësuesve të punësuar nga Fondacioni në nisje të projektit, shpjegon Ibrahim Barjami.
Ai sjell ndër mend përvojat më të mira të fituara në vite në misionin për edukimin e fëmijëve, duke i bërë të njohur si në Sarandë edhe në Delvinë e sidomos në zonat rurale të këtyre dy qyteteve. Ai veçon kurset me organizuara me mësuesit, trajnimin e tyre periodik me psikologë si prof. Edmond Dragoti, duke i aftësuar për një edukim cilësor në shkolla, në rritjen e kualifikimit për mësimdhënie bashkëkohore etj. Nuk kanë munguar gjithashtu projekte që kanë mundësuar marrjen në kujdestari të fëmijëve me nevoja të veçanta, të cilët mbështeten prej fondacionit çdo muaj me një shumë lekësh. Por projekti “detyrat e shtëpisë” vlerësohet si një hap përtej këtyre përvojave. Ai do të thotë që dikush të bëhet paksa më i afërt me fëmijën, më i afërt me nevojat e tyre të përditshme. Duke u ngacmuar nga kjo ide, thotë Ibrahim Bajrami, menduam që përkrah sistemit arsimor të shkollave që ata ndjekin, ne të bëjmë punën e prindërve, të cilët janë në një nevojë shumë të madhe, duke mos harruar se përparësinë ua kemi dhënë fëmijëve nga familje që mbahen me një ndihmë ekonomike nga Bashkia e Delvinës. Janë familje të cilat janë në nevojë konstante për ndihmesë. Një grua rome na tha se në këtë qendër ka sjellë tre fëmijë, 2 binjakë që janë në klasën e katërt dhe një tjetër në klasën e dytë. Ajo tregoi se, duke qenë e sëmurë dhe invalide, nuk ia del dot t’i mësojë fëmijët duke paguar nëpër kurse private.
Më tepër sesa kaq, në kushtet kur hera-herës ndryshojnë programet mësimore dhe bëhen gjithnjë e më e pamundur për prindërit që ata t’i ndjekin në proces fëmijët e tyre, për shkak të stresit për sigurimin e bukës së gojës, apo për shkak të pamundësisë intelektuale të kontrollit mbi mësimet e fëmijëve, “punën” e këtyre prindërve e bëjnë mësues të angazhuar dhe të paguar nga “Lidia” që të përkujdesen për fëmijët mbas mbarimit të programit mësimor në shkolla. Për këtë iu kërkua Bashkisë së Delvinës, ndërtesa e një çerdheje të mbyllur për shkak të rënies së numrit të fëmijëve. Dhe u gjet mirëkuptimi e u sigurua mbështetja e saj dhe personalisht e kryetarit Dhurim Alinani. Në vlerësimin e kryebashkiakut Alinani, “Ky është një projekt që paraqet shumë interes, pasi bën të mundur trajtimin e fëmijëve të familjeve në nevojë duke ndikuar në përgatitjen e tyre për të nesërmen në shkollë”. Më shumë se çdo gjë ai vlerëson se qendra e hapur me iniciativën e fondacionit “Lidia” është lehtësuese e dhimbjes sociale të këtyre familjeve në nevojë, që janë në skemën e ndihmës ekonomike të Bashkisë së Delvinës. Ai tregon se projekti “Detyrat e shtëpisë” është mbështetur nga bashkia me mjediset e saj dhe se do mbështetet edhe me stafe, në bashkëpunim me drejtorinë arsimore, që të ndikohet sa më fuqishëm në formimin e fëmijëve pjesëmarrës në to. Kjo ndikon edhe psikologjikisht sipas tij, që këta fëmijë të mos ndihen të braktisur, në kushtet kur familjet e tyre nuk i kanë këto mundësi.
Qysh në këtë fillim të funksionimit të kësaj qendre sociale janë hedhur hapat e mëtejshëm. Një klasë është pajisur me banka e tryeza ku janë instaluar kompjuterë, që do të përdoren për kurset që do të funksionojnë këtu jo vetëm për 36 fëmijët e parë. Shkohet edhe më tej, duke marrë masa konkrete që të nisë të funksionojë këtu edhe kursi i gjuhës angleze. “Me kohë do të hapen edhe kurse që do t’i kualifikojnë këta fëmijë në anglisht, kurse kompjuteri që më tej do të evoluojnë sipas nevojave të fëmijëve me vazhdimësinë e kohës”, shton Ibrahimi. Ndërkohë, sqarohet se kjo nuk është vënie në konkurrencë e aq më pak sfidë me sistemin arsimor në shkolla, por një projekt që jep një ndihmë të personalizuar për secilin prej fëmijëve. Duke bashkërenduar përpjekjet me mësuesit e këtyre fëmijëve në shkolla, në këtë qendër ofrohen pikërisht ato elemente që u mungojnë për t’i bërë ata më të afërt me mësimin, me edukimin dhe në të njëjtën kohë më të aftë për të ardhmen e tyre. Po punohet për të gjetur edhe prindër që janë të gatshëm të paguajnë për edukimin cilësor të fëmijëve të tyre, duke siguruar që të ketë edhe një pagesë për kategori të tjera familjesh dhe kjo qendër të ketë jetëgjatësi. Ndërkohë që themelore mbetet kategoria e fëmijëve që kanë nevojë për ndihmë sociale, nuk janë të përjashtuar edhe të tjerë që kanë parapëlqyer kushtet e studimit që krijohen në këtë qendër, edhe pse dinë se duhet të paguajnë për këtë.
#