Chavez, i nënshtrohet kimioterapisë së parë

Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, tha se ka përfunduar "ciklin e parë" të kimioterapisë në Kubë dhe se do ta fillojë tani fazën e trajtimeve të ndryshme për qelizat kanceroze.
Chavez u zotua të mundë kancerin, duke thënë se është i bindur se do të fitojë një mandat të ri në zgjedhjet e ardhshme dhe se do të qëndrojë në pushtet për edhe të paktën gjashtë vjet të tjera.
"Ka shumë cikle të ndryshme në këtë betejë për ta mundur dhe eliminuar përfundimisht çdo mundësi për paraqitjen e qelizave të reja kanceroze në këtë trup, i cili së shpejti do të mbushë 57 vjeç", tha Chavez.
Presidenti venezuelian foli nëpërmjet një lidhje telefonike për televizionin shtetëror, gjatë fjalimit të mbajtur nga zëvendësi i tij, Elias Jaua.