Chavez në Kubë, do të operohet sërish nga kanceri

Presidenti i Venezuelës Hugo Chavez mbërriti mbrëmjen e së shtunës në Kubë dhe do të operohet të hënën ose të martën për një tumor të vogël malinj. Ai është pritur nga presidenti kuban Raul Kastro. Vetë presidenti në një telefonatë me televizionin publik venezuelian, VTV, dha njoftimin për operimin e tij. Kanceri ndodhet në zonën e legenit, për të cilën u operaua edhe në qershor të 2011.
57-vjeçari Chavez ka konfirmuar se do të rikandidojë për zgjedhjet presidenciale të 7 tetorit. Chavez , ashtu si zakonisht, bëri me dije publikisht se do të udhëtonte për në Kubë, dhe se do t`u nënshtrohet seancave të terapisë për të kuruar tumorin që e ka prekur. Në fund të muajit të kaluar lideri bolivarin 57-vjeçar iu nënshtrua sërish një operacioni në një qendër të specializuar në Havana për të reduktuar masën tumorale që iu shfaq në qershor.
"Unë do të shkoj në Havana. Vendosa, falë rekomandimeve të ekipit mjekësor që më ndjek, dhe gjithashtu edhe skuadrës sime politike, të nis terapinë anti tumorale, për të kompletuar ndërhyrjen që pata më herët, më konkretisht 4 javë më parë. “Faleminderit Zot”, ka thënë Chavez në deklaratën e transmetuar në televizionin shtetëror.