E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, Sarkozy kërcënon: Franca do braktisi Schengen

Presidenti i Francës Nicolas Sarkozy ripërsërit idenë për të braktisur zonën Schengen nëse Europa nuk merr masa për të luftuar emigracionin ilegal. Gjatë një fjalimi të mbajtur gjatë fushatës elektorale, Presidenti i Francës u shpreh se vendet anëtare duhet të garantojnë për zonën Schengen një president dhe një organizëm të ri qeveritar si dhe të ndëshkojë kombet që nuk respektojnë rregullat.
Nëse nuk ndodh brenda pak vitesh, nënvizoi Sarkozy, Franca do marrë përgjegjësitë e saja dhe do ta braktisë zonën Schengen. Ashtu siç ishte parashikuar, duket se cështja e emigracionit, do të jetë edhe në vazhdim "kali i betejës së Nicolas Sarkozy në garën për t`u rizgjedhur në krye të Elizesë. Edhe në fillim të muajit, presidenti francez, kërcënoi se vendi i tij do të tërhiqet nga marrëveshja e Shengenit, nëse emigracioni ilegal nuk do të ndalet. Sarkozy tha se reforma në legjislacion është e vetmja rrugë për shmangien e "pushtimit" të Europës. "Çështja është urgjente, sepse nuk mund të pranojmë t`u nënshtrohemi të metave në kufijtë e vendeve të tjera të Europës. Nëse nuk do të ketë përmirësim të legjislacionit në 12 muajt e ardhshëm, Franca do të tërhiqet nga marrëveshja e Shengenit, derisa të bëhen ndryshimet," është shprehur Sarkozy. Edhe në vijim, Sarkozy u përqendrua në numrin gjithnjë e në rritje të emigrantëve ilegalë që hyjnë në Francë, dhe u zotua për përgjysmimin e tyre në rast se do të rizgjidhet. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë do të mbahet më 22 prill.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›