E Shtunë, 31 Tetor 2026

Së pari marrëveshja

LDK’ja po kërkon së pari zbatimin e Marrëveshjes Thaçi-Mustafa-Pacolli për të mbajtur ndonjë tryezë të përbashkët të liderëve. Ismet Beqiri thotë se s’ka arsye për takime të reja me njerëzit që nuk e mbajnë fjalën. Por, në PDK thonë se janë të gatshëm për takime dhe marrëveshje që janë në pajtim me Kushtetutën.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri ka përsëritur, të dielën, qëndrimin e partisë së tij se për çështjen e zbatimit të marrëveshjes së treshes politike Thaçi, Mustafa dhe Pacolli nuk do të ketë tryezë bisedimesh.

Beqiri ka lënë të kuptohet se deklarimi publik i shefit të tij Isa Mustafa, i cili ka thënë se është i gatshëm të bisedojë me homologët e tij partiakë, nuk vlen edhe për zbatimin e marrëveshjes së prillit të vitit të kaluar që ka të bëjë me largimin e Atifete Jahjagës nga Presidenca.

“Nuk është e nevojshme thirrja e një tryeze tash me njerëzit që nuk e mbajnë fjalën dhe nuk i përmbahen asaj që kanë nënshkruar”, ka thënë Beqiri për Kosovapress.

“Askush nuk mund të na bindë prej pozitës në këtë rast, por edhe dikush tjetër nëse është me mendim të pozitës, që ne e kemi keq dhe ata e kanë mirë. Prandaj, po e them se qëndrimet e LDK’së janë shumë të qarta rreth këtyre zhvillimeve, nuk shohim, sepse arsyeja është e thjeshtë, sepse nuk ka rezultat nga një tryezë e tillë, sepse janë po të njëjtët aktorë, të cilët i ndryshojnë dhe i hanë fjalët e veta dhe ato që i nënshkruajnë”, ka shtuar ai.

Por, pavarësisht këtij refuzimi, që zyrtarët e LDK’së po i bëjnë një tryeze të përbashkët me liderët e tjerë, për çështjen e Presidentes është vetë kreu i saj, Isa Mustafa, ai i cili këto ditë ka dalë edhe me një ofertë për zgjidhje.

Mustafa kërkoi largimin e Atifete Jahjagës nga posti i të parës së shtetit, gjashtë muaj pasi të përfundojnë reformat kushtetuese si parakusht për mbajtjen e zgjedhjeve të drejtpërdrejta presidenciale.

Ndryshe prej LDK’së, PDK’ja dhe AKR’ja janë pajtuar të gjejnë një zgjidhje për zhbllokimin e reformave kushtetuese dhe zgjedhore.

Por, PDK’ja nuk ka lëvizur nga qëndrimi se çështja e Presidentes është e përfunduar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Çështja e Presidentes është në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila na obligon që ta respektojmë të gjithë. Por, duhet pasur parasysh se është edhe marrëveshja e nënshkruar ndërmjet liderëve politikë që po ashtu e ka rëndësinë e vet, por edhe zotimet që e obligon çdo lider dhe partnerët e ndryshëm të gjejnë një zgjidhje dhe që njëkohësisht duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të respektojnë edhe marrëveshjen e nënshkruar”, pati thënë Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci, për Express.

Por, një zgjidhje që respekton edhe vendimin e Gjykatës dhe Marrëveshjen, është dorëheqja e Presidentes Atifete Jahjaga. Kjo e fundit ka mohuar në çdo deklaratë publike se do të largohet vetë nga posti i Shefes së Shtetit, duke kërkuar që liderët të merren vesh për zbatimin e Marrëveshjes PDK-LDK-AKR.

Por, largimin Jahjagës po vazhdon t’ia kërkojë edhe Partia e Behgjet Pacollit.

Myzejene Selmani thotë se zgjidhja e vetme është zbatimi i marrëveshjes, e cila ka sjellë Jahjagën në Presidencë.

“Një marrëveshje ka qenë, unë nuk e di tash çka duan, vetëm në rast se kërkohet një konsensus mes partive politike se marrëveshje të re nuk ka nevojë, se e kemi një, ndërsa lypset konsensus për votimin e amendamenteve të Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit, atëherë kur të hyjë në fuqi ajo, Presidentja të largohet. Ne jemi prapa asaj që Marrëveshja të zbatohet dhe të gjendet rrugë për zbatimin e saj”, ka thënë ajo për Express.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›