Chelsea synon 90 pikë

Kapiteni John Terry ka insistuar se asnjë ekip nuk mund të ndjekë Chelsean në garë për të arritur 90 pikë në Premierligë, pavarësisht rënies në formë në periudhën e fundit dhe vështirësisë për të mposhtur ekipin e fundit në tabelë, Portsmouthin, të mërkurën.
Fitorja 2-1, falë golit nga penalltia të realizuar nga Frank Lampard në pjesën e dytë, ishte fitorja e parë e Chelseas në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Por, në ditën kur Arsenal nuk arriti më tepër se një barazim 1-1 kundër Burnleyt, Chelsea arriti një fitore të rëndësishme për të fituar dy pikë ndaj njërit prej rivalëve për titull.
Gjiganti londinez ka tri pikë më tepër se përcjellësi i parë Manchester United. Ndërsa Terry ka thënë se Chelsea është ende në rrugë të mirë për të arritur objektivin prej 90 pikëve.
“Ne është dashur të kemi kryesim edhe më të madh në tabelë, por për këtë mund vetëm të fajësojmë vetveten. Jemi ende në rrugë për të arritur 90 pikë këtë sezon dhe jemi i vetmi klub. Të shtunën ishte hera e parë që kemi humbur pikë në shtëpi këtë sezon dhe dëshirojmë të jetë e fundit”, deklaroi Terry. Asnjë ekip nuk ka dështuar të fitojë Premierligën pasi ka arritur në kuotë prej 90 ose më tepër pikëve.