E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka përsëritje

Sepp Blatter mbetet i vendosur se xhirimet e përsëritura televizive nuk do të përdoren për të rivlerësuar vendimet, derisa ai të jetë president i FIFA-s.

Në kohën e fundit ka pasur presion të vazhdueshëm për përdorimin e video-teknologjisë pas lojës me dorë nga sulmuesi francez, Thierry Henry, në aksionin e golit të barazimit 1-1 kundër Republikës së Irlandës muajin e kaluar në ndeshjen e dytë të play-offit për Kampionatin botëror 2010, që kualifikoi Trekolorët falë shënimit të mbrojtësit William Gallas.

“Gjyqtarët duhet të mbesin njerëz dhe nuk do të kemi monitor për të ndalur lojën dhe të shohim nëse gjyqtari ka gabuar apo ka të drejtë. Në ditën kur do të ndodhte kjo, do të ishte vdekja e futbollit. Nuk e di se çka do të ndodhë atëherë kur unë nuk do të jem më president i FIFA-s, por kjo çështje nuk do të jetë në agjendë, derisa unë jam në këtë detyrë. Gabimet e gjyqtarëve janë pjesë e futbollit. Ju lutem mos insistoni rreth kësaj teme”, tha Blatter gjatë një konference për shtyp të enjten.

FIFA ka refuzuar përdorimin e xhirimeve të përsëritura prej kur Blatter kishte thënë se rezultatet nuk ishin bindëse, kur ky propozim ishte provuar në Kampionatin Botëror të Klubeve dy vite më parë.

“Nuk do të ketë diskutime tjera (mes tifozëve) dhe nuk do të ketë më shpresë ose edhe jetë, nëse do të bëhej aprovimi i këtij propozimi”, shtoi Blatter i cili planifikon të ri-kandidohet më 2011.

Shikueshmëria e ulët ka shënuar ndeshjet e para të Kampionatit botëror këtë vit, ndërsa eliminimi i hershëm i Al Ahlit nuk ka ndihmuar.

“Ne kemi ëndërruar një paraqitje më të mirë”, tha presidenti i Federatës së Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed Khaltan Al-Rumaithi.

“Al Ahli nuk e kishte planifikuar mirë këtë garë. Nuk kam parë përgatitje serioze”, u shpreh ai. Al-Rumaithi ka thënë se Emiratet e Bashkuara Arabe janë të interesuara të jenë nikoqir i garës përsëri në të ardhmen, pasi Kampionati Botëror i Klubeve do të kthehet në Japoni për dy vjet pas një tjetër viti në Abu Dhabi më 2010.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›