E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shosholli, afër Vëllaznimit

Sipas të gjitha gjasave, trajneri i mirënjohur kosovar, Ajet Shosholli do ta udhëheqë Vëllaznimin e Gjakovës gjatë edicionit pranveror të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.

Këtë e kanë bërë të ditur disa burime të gazetës Express brenda klubit kuq e zi dhe të afërta me ish trajnerin e Prishtinës.

Sipas këtyre burimeve, bisedimet mes zyrtarëve të Vëllaznimit dhe trajnerit mitrovicas janë në fazën përfundimtare, ndërsa gjatë javës pritet që marrëveshja mes dy palëve të përfundojë pozitivisht.

Në anën tjetër, edhe zyrtari i lartë i Vëllaznimit, Ahmet Morina tregoi se klubi i tij është në bisedime me Shoshollin, por njëherë përnjëherë ai nuk deshi të flasë në detaje rreth kësaj çështjeje.

“Ka diçka të vërtetë rreth kësaj çështjeje dhe në ditët në vijmë gjithçka do të qartësohet. Të shtunën do të njoftohet opinioni rreth çështjes së trajnerit, por edhe rreth disa çështjeve tjera”, deklaroi Morina për Express të enjten.

Ai nuk e përjashtoi mundësinë që të shtunën të bëhen publikë edhe emrat e lojtarëve me të cilët pritet të përforcohet Vëllaznimi.

Ajet Shosholli së fundmi ka qenë në postin e drejtorit sportiv të Trepçës ’89, derisa në të kaluarën ishte kryetrajner i FC Prishtinës, ku për një kohë te ky klub ishte edhe drejtor i shkollës së futbollit.

Ai te Vëllaznimi pritet ta zëvendësojë trajnerin Arsim Gojani, i cili ishte emëruar përkohësisht në krye të skuadrës kuq e zi, pas dorëheqjes së Blerim Mulës.

Përpos krizës së rezultateve, Vëllaznimi ballafaqohej edhe me krizë financiare. Mirëpo, gjatë këtyre javëve të fundit, zyrtarë komunalë të Gjakovës dhe disa afaristë tjerë të këtij qyteti janë duke u konsoliduar për ta nxjerrë klubin nga kjo krizë.

Vëllaznimi sezonin vjeshtor e ka përmbyllur duke u pozicionuar në vendin e njëmbëdhjetë në tabelën e klasifikimit, përkatësisht në pozitën e parafundit, me vetëm 14 pikë të tubuara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›