E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trepçës, i shtohen apetitet për titull

Pasi e mposhti të mërkurën në Mitrovicë kampionin aktual, Sigal Prishtinën me rezultat 84:81, Trepça është motivuar edhe më shumë që t’i rrëmbejë të dy trofetë në këtë kampionat – Kupën e Kosovës dhe titullin e kampionit.

Trepça është skuadra e vetme e cila ia shkaktoi humbjen e parë Sigal Prishtinës, pas dymbëdhjetë fitoreve të njëpasnjëshme që i shënoi klubi kryeqytetas.

Andaj drejtuesit e këtij klubi besojnë se skuadra e tyre ka kapacitet për t’i arritur objektivat e saj në këtë kampionat.

“Pas rikthimit të ish basketbollistëve në udhëheqësi të klubit, ka filluar të bëhet një punë e mirëfilltë në klub dhe po bëhet një punë serioze”, deklaroi për Express drejtori sportiv i Trepçës, Naim Hajrizi.

“Trepça ka qenë gjithmonë kandidat për titull të kampionit dhe me ambicie të njëjta do të jetë gjithmonë. Pra, edhe këtë vit jemi kandidat potencial për titull. Këtë e dëshmon edhe fitorja jonë ndaj Sigal Prishtinës, por edhe kthimi i publikut në palestër”, theksoi Hajrizi.

Sikurse Hajrizi mendon edhe njëri ndër basketbollistët më të dalluar të ekipit gjelbër e zi, Drilon Hajrizi.

“Çdo fitore në ndeshjet derbi, është motiv shtesë për ne. Pra, edhe fitorja ndaj Sigal Prishtinës na ka motivuar që t’i ndjekim të dy trofetë në këtë edicion. U pa se nuk është ndonjë dallim i madh mes ekipit tonë dhe atij prishtinas. Ne jemi në formë të mirë, sepse fituam në tri ndeshjet derbi të fundit dhe me ritëm të njëjtë do të vazhdojmë deri në fund”, tha Hajrizi.

“Do të ishin të mirëseardhura përforcimet eventuale. Nëse përforcohemi me ndonjë lojtar të huaj, atëherë ata do të na ndihmonin jashtëzakonisht shumë për t’i arritur synimet tona”, theksoi ai.

Pas trembëdhjetë xhirove të zhvilluara, Trepça zë vendin e dytë në tabelë me 23 pikë të tubuara, dy më pak sesa kryesuesi Sigal Prishtina.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›