Armiku i shtypit në krye të PS-së premton betonizimin e mediave
Janë ca tema për të cilat Edi Rama bën më mirë të heshtë sesa të flasë. Sidomos kur flitet për tryeza të hapura për median dhe ftohen njerëz që ca gjëra për marrëdhëniet e Ramës me gazetarët i kanë fort të qarta. Parimisht të gjithat temat janë të mira për diskursin politik të kreut të opozitës së sotme. Sigurisht përpos temave (më saktë tabu-ve) që kanë të bëjnë me dhunën ndaj grave, për betonizimin e kryeqytetin, për hapjen e kutive, për grevën e urisë, për organizimin e 21 janarit dhe për median.
Ndonëse për median çuditërisht u fol dje në tryezën e organizuar nga Partia Socialiste. Aty kreu i opozitës premtoi se në të ardhmen do të ketë marrëdhënia të mira dhe parimore me njerëzit e medies. Afërmendsh premtoi për të ardhmen e largët dhe heshti me ulje koke për të shkuarën e tij fort të mirë me median. Rama propozoi një ndërhyrje ligjore në ligjin për informimin publik ku të mundësohet “aksesi i menjëhershëm të gazetarëve në çdo dokument zyrtar të çdo dikasteri dhe agjencie shtetërore”. Bukur fort.
Mirëpo për 11 vite si Kryebashkiak, Edi Rama na e ktheu bashkinë në një bunker për gazetarët, aq sa ishte më shpejtë të gjendej ujë në shkretëtirë sesa informacione për bashkinë më të madhe të vendit. Prandaj propozimi i kësaj nisme ligjore bie pak erë dhe është në kundërshtim me praktikën e ndjekur nga vetë ai në pushtetin lokal. Dhe nuk ka asnjë të dhënë faktike që me marrjen e pushtetit qendror të ndryshojë marrëdhëniet. Përkundrazi do të gjejë forma të tjera fshehje dhe dezinformimi.
Sepse ndër të akuzuarit e parë për tjetërsimin e rolit të medias është padyshim Padrinoja që ka investuar gjithçka për një imazh mediatik populist. Rama ka një historik të veçantë me median e lirë (nga Ai) që fillon me mandatin e parë si Kryebashkiak, kur ndaj një pyetjeje të bërë nga një gazetare e TvShijak, Edvini iu përgjigj me fyerjen ti je një “gazetare semafori”. Po kështu vlonin akuzat qe kur ishte në krye të Bashkisë Tiranë, ai jepte tendera rrugësh dhe licenca pallatesh vend e pavend për botues dhe pronarë mediash “të majta” të pavarura, duke instaluar kësisoj pushtetin e ndikimit politik mbi lirinë e shprehjes. Ky ndikim është i pranishëm edhe sot në median e shkruar dhe televizive. Gjithsesi ky raport mono-maniakal i Ramës shkon deri aty sa ushtron presione për hapje të kryetitujve të edicioneve të lajmeve dhe “aperturave” të gazetave pranë tij. Sigurisht ky raport ka një arsye që është dhe thelbi i figurës politike, ngase Rama është i vetmi lider produkt i medias.
Po ta lexosh me imtësi karrierën e Edi Ramës lehtësisht mund të arrish konkluzionet se përgjithësisht është një kryevepër e mediokritetit, pa vizion, me akuza të forta për korrupsion me lejet e ndërtimit. Karriera e tij politike ka ecur vetëm dhe thjesht për shkak të mediave, ose me saktë Edi Rama i ka shfrytëzuar dhe përdorur mediat për të “shitur” veten tek publiku, jo edhe aq për punë apo vizionin e tij, sesa me marifete të tjera qysh në zanafillë biçim snobizmash dhe vulgaritet modernistësh nëpër ekrane të lira për të “fituar” vëmendjen e publikut.
Sido që të jetë tryeza e djeshme për median do të mbahet mend për faktin që Rama foli shpejt e shkurt, pa monolog, duke lënë hapësirë shprehje të tjerëve. Ky ndryshim erdhi si rezultat jo i ndryshimit të Ramës, por si rrjedhojë logjike e njeriu që ndjehet ngushtë përpara atyre që u mbyll gojën nëpërmjet formave që i njeh mirë.