“Demokracia përballë diktaturës”
Film dokumentar me skenar të Uran Butkës dhe me regjinë e Saimir Kumbaros
Mbrëmë u dha në “ABC News” filmi dokumentar që u paraqit në titullin e mësipërm, që paraqet goditjen e opozitës antikomuniste në vitet 1943-44 dhe pas gjyqin special të vitit 1945. U dënuan me vdekje me dhjetëra nacionalistë të shquar, kundërshtarë të komunizmit e, pas tyre, u erdhi radha demokratëve opozitarë, që u dënuan me jetë nga gjyqet ushtarake. Të pandehurit ishin përpjekur për një sistem demokratik dhe kundërshtuan vendosjen e një regjimi totalitar në Shqipëri.
Në vitet 1946-47, u dënua me vdekje opozita e parë demokratike dhe u vendos përfundimisht diktatura komuniste në Shqipëri. Kjo nuk ndodhi menjëherë. Qysh gjatë Luftës së Dytë Botërore, u shfaqën simptomat e një pushteti monist nën drejtimin e një partie të vetme, Partisë Komuniste; ushtria NÇ u përdor nga komunistët për marrjen e pushtetit politik me armë dhe me gjak, sipas teorisë m-l të revolucionit proletar; votimet e drejtuara të 2 dhjetorit 1945 e përjashtuan opozitën demokratike nga zgjedhjet dhe mundësitë e një rendi pozitë-opozitë në Shqipëri. Kushtetuta e vitit 1946 i hapi rrugën vendosjes së diktaturës më të egër në Europë. Të gjitha këto, u realizuan me dhunë çnjerëzore dhe me prerje kokash të intelektualëve e të demokratëve të shquar shqiptarë, që aspironin për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe perëndimore.
Ky film ishte mbresëlënës se paraqiste sekuencat e gjyqeve të diktaturës, të shoqëruara me komente nga Uran Butka, Pjetër Pepa dhe Kastriot Dervishi.
Mjaft nga pamjet filmike dolën për herë të parë, falë punës qëmtuese të trupës përgatitëse të këtij filmi, në të cilin ngërtheheshin fjalët e skenarit me ilustrimet dokumentare, me fragmente filmash tronditës dhe me fac simile që krijojnë te shikuesit bindje të forta se në ç’mënyrë dënoheshin nacionalistët dhe nacionalçlirimtarët, të cilët ishin bashkëluftëtarë në kundërvënien ndaj okupatorëve, ndonëse në mungesë të koordinimit për luftë të përbashkët. Ato që brezi i ri nuk i ka jetuar dhe i di pak, ose aspak, madje në mënyrë të shfytyruar, këtu i sheh në mënyrë të prekshme dhe kupton sesa thellë është deformuar e vërteta historike, shpesh në librat që rinia i ka në përdorim. Kjo është njëra ndër vlerat e qenësishme të këtij filmi me metrazh të shkurtër, që synon çindoktrinimin e historisë, përveç krimit komunist në vendin tonë. Është një kontribut me rëndësi për dënimin e krimeve të komunizmit, në bazë të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të KE-së.
Ne shohim K. Dervishin në arkivin e M.B. që kërkon një dosje për t’ia dorëzuar U. Butkës. Është dosja e Musine Kokalarit. Në këtë dosje ruhet dënimi i Musine Kokalarit.
Spikeri flet për Musinenë, për këtë intelektuale të shquar gjirokastrite, nga familja e madhe Kokalari, vajzë e vetme e juristit Reshat Kokalari, motër e vëllezërve Muntaz e Vesim Kokalari, themelues të shtëpisë botuese Mesagjeritë Shqiptare, ku u botuan “Hamleti” e “Makbethi”, “Rubairat” e Omar Khajamit, “Ivanhoe”, “20 vjet ngatërresa ballkanike” dhe vepra të rilindësve tanë (Jepen pamje filmike të këtyre botimeve). Kokalarët u pushkatuan me urdhër të Enver Hoxhës, pa gjyq, për fajin e vetëm se ishin njerëz të kulturës e të librit. Vëllai tjetër i Musinesë, Hamit Kokalari, autori i veprës “Kosova-djep i shqiptarizmit” - vdiq në burg. Musineja, e lauruar në Universitetin e Romës për artet e bukura, me temën studimore “Naim Frashëri”, është shkrimtarja e parë shqiptare, me librat e saj “Kolla e vdekjes”, “Si më thotë nënua plakë”, Rreth vatrës”, “Sa u tund jeta” (pamje e këtyre botimeve). Kredoja e saj letrare ishte e vërteta e jetës shqiptare të asaj kohe.
E merr fjalën historiani që flet për Musinenë, e cila ka qenë edhe një politikane demoktate. Si nacionaliste, ithtare e Mid’hat Frashërit, ajo iu kundërvu fashizmit dhe nazizmit, mandej edhe komunizmit. Së bashku me nacionalistin Skënder Muço, ajo themeloi, në tetor të vitit 1943, Partinë Socialdemokrate dhe nxori gazetën “Zëri i Lirisë”, me një program kombëtar thellësisht demokratik, i ngritur në katër shtylla: Ideali i bashkimit kombëtar; luftë e të gjithë shqiptarëve kundër nazifashizmit; drejtësi shoqërore; liri politike dhe të drejta demokratike (Pamje nga gazeta Zëri i Lirisë dhe foto të Skënder Muços dhe Musinesë).
Musineja: Unë kam qenë pergjegjëse e Gazetës “Zëri i Lirisë, në të cilën kam botuar artikuj për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në bazë të Marrëveshjes së Mukjes dhe të Kartës së Atlantikut. Kriteri ynë për të luftuar ishte, jo për qëllimin e përfitimit të disa klikave, po për Musineja demokratizimin e vendit.(Gazeta Zëri i Lirisë, harta e Kosovës, Pamje nga Mukja dhe mbledhja e Mukjes).
Sërish spikeri: Jam në Shkodër me studiuesin Pjetër Pepa. Shkodra, qyteti i fundit i qëndresës antikomuniste, por edhe qyteti ku regjimi komunist ushtroi një gjenocid të jashtëzakonshëm me motive politike, ideologjike dhe fetare… Çdo rrugë, çdo shtëpi, çdo portë është dëshmitare e arrestimeve, pushkatimeve pa gjyq dhe terrorit të pashembullt komunist. Edhe Kisha dhe Kuvendi Françeskan u kthyen në burgje dhe në vende torture e hetuesie për qytetarët nacionalistë e Shkodrës…
Përveç intervistave shoqëruese, në këtë dokumentar kemi edhe ndërthurjen me gjyqet:
***
I pandehuri Shefqet Beja, në emër të popullit dënoheni me varje në litar… I pandehuri Sulo Klosi… me varje në litar,… I pandehuri Riza Alizoti..me varje në litar …I pandehuri Riza Dani… me pushkatim … I pandehuri Selaudin Toto me pushkatim…
Historiani: (pamje filmike nga studioja e historianit, i cili këqyr dokumentet që ka mbi tavolinë). Takimi me fretërit te Kuvendi (shkurt). Intervistë me Medi Krajën (për masakrat në Shkodër Studiuesi P.Pepa: (Intervistë në shtëpi).
(Flet për Shkodrën, dhe për Gjergj Kokoshin, opozitën e parë demokratike). Intervistë e shkurtër me Hoti Kavajën (Direkt, para shtëpisë së Ali Kavajës).
Spikeri: Ja pikat kryesore të programit të opozitës shqiptare (Lexon, por jepet edhe me titra):
Programi: 1. Qeveri demokratike dhe respektim i të drejtave të njeriut. 2. Miqësi me shtetet demokratike, sidomos me vendet fqinjë. 3.Zgjidhje e problemit të Kosovës me anë të një plebishiti, sipas Kartës së Atlantikut. 4. Respektim i të drejtave të pakicave. 5. Zbatim i të gjitha reformave, duke pasur parasysh edhe traditat. 6 .Luftë kundër elementeve fashiste e profashistë. 7. Të njihet realiteti i Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha. 8. Sigurimi i qetësisë dhe i rendit brenda vendit. (Me gjithë përpjekjet e opozitës me mbështetjen diplomatike te Misioneve anglo-amerikane, ky program demokratik dhe kombëtar nuk u pranua nga qeveria komuniste e E. Hoxhës. Menjëherë, nisi gjuetia e shtrigave ndaj nacionalistëve e demokratëve, gjyqet ushtarake dhe shuarja e çdo shkëndije demokracie në Shqipëri. Shqipëria përjetonte natën e Shën Bartolemeut. Në janar të vitit 1946 u arrestua Gjergj Kokoshi bashkë me 37 opozitarë të organizatës “Bashkimi Demokrat”, që u dënuan: 9 me vdekje, me pushkatim, 5 me burgim të përjetshëm, 5 me tridhjetë vjet dhe të tjerët me 25 vjet e poshtë). (Pamje filmike: listat e të pushkatuarve dhe të dënuarve)
Arkivi i Mbrojtjes së Popullit dhe mënyra se si zhvillohet drejtësia (ku shefi i policisë ishte dhe anëtar i trupit gjykues, kurse anëtari i Shtabit të Përgjithshëm, apo zv. Kryeministri, ishte edhe kryetar i gjyqit) kanë krijuar një atmosferë frike dhe terrori në të gjithë vendin, kjo gjë e ka shtuar me të tepërt numrin e të pakënaqurve, po frika dhe vetëm frika e ka ndaluar atë që të organizohet në një opozitë. Si mund të bëhej ndryshe, kur Shqipëria ndodhet për 13 muaj nën diktaturën më të tmerrshme që ka parë historia!
Në një trakt të grupit të rezistencës shkruhej: “Koha e zgjedhjeve afroi, bëni opozitë. Mos votoni për njerëzit e Frontit sepse ekzistenca e Shqipërisë është në rrezik! Sot më shumë se kurrë, asnjë për votimet. Asnjë për qeveri komuniste. Të gjithë për liri fjale, mendimi e opozite, për demokraci!”
Sami Qeribashi, i torturuar çnjerëzisht në hetuesi pse kishte thënë “Komunizmi u jep të gjithëve tapinë e fukarallëkut”, në gjyq deklaroi: “Ky gjyq i ngjan një gramafoni të kurdisur”. Ndërsa Gjergj Kokoshi deklaronte në gjyq: “Qeveria komuniste nuk përfaqëson vullnetin e popullit. Ajo po ia fal të gjithë pasuritë e saj Jugosllavisë… Të bashkëpunojnë forcat demokratike kundër komunizmit për të shpëtuar Shqipërinë. Shqipëria të bëhet shtet demokratik i tipit perëndimor, me disa parti politike dhe jo vetëm me atë komuniste…
Kur prokurori ushtarak, Nevzat Haznedari, e akuzoi Gjergj Kokoshin për tradhti ndaj atdheut, ai klithi: “Kurrë nuk e kam tradhtuar popullin tim!”. U dënua me 30 vjet burg, për të vdekur, pas torturash të rënda, në burgun e Burrelit).
Spikeri: Kur Haznedari e pyeste të pandehurin Xhahit Koka, bashkëthemelues me Qenan Dibrën e Partisë së Legalitetit: kush je ti? Xhahiti i përgjigjej: Unë jam shqiptar, nacionalist e demokrat. Jam për Shqipërinë e lirë, etnike e demokratike, pa komunistë sllavë! (Foto e Xhahit Kokës)
Kur kryetari Frederik Nosi, e akuzoi Musinenë si terroriste, ajo tha: - “Refuzoj t’u përgjigjem pyetjeve”. Ndërkohë, në sallën e gjyqit u dëgjuan thirrjet: “Në litar! Në litar!”,
Kryetari i gjyqit: “E pandehur, e dëgjon ç’thotë populli?”
Musineja: “Nesër këtë do të thotë edhe për ju, zoti gjykatës!” (Foto të Musinesë). Ti fitove në zgjedhje, po unë nuk duhet të jem në burg. Unë s’jam komuniste, s’jam fashiste, s’jam fajtore. Unë kam kulturë demokratike dhe ky s’mund të quhet faj. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit dhe, me mua, ju dënoni Rilindjen!”
Spikeri: Pas 16 vjet vjet në tortura dhe në burg, Musineja internohet në Rrëshen, ku për 22 vjet punoi në bujqësi e ndërtim, si puntore krahu, në zanatin e llaçit, siç thotë ajo, e përgjuar ditë e natë nga spiunët e Sigurimit të shtetit (Pamje nga Rrësheni).
Ky ishte vetëm fillimi i gjenocidit komunist. E dërmuar nga vuajtjet dhe nga punët e rënda, Musinja sëmuret nga kanceri. “Ç’fat tragjik, shkruan ajo në ditar. Më doli edhe sëmundja kundër” (pamje nga ditari). Pa njeri pranë, në prag të vdekjes, ajo shkruan në ditar: “Të mos më humbasin dorëshkrimet. Tjetër gjë s’dua! Unë s’i kam kurrkujt borxh dhe askujt nuk i kam kërkuar ndihmë e lehtësi, aq më tepër atij personi që kishte në dorë të lehtësonte akuzën time. ..Ju përqafoj të gjithëve!” (portreti i Musine Kokalarit)
Spikeri: Nacionalistët e demokratët si avokat Suat Asllani u burgosën dhe u internuan, apo vdiqën në hetuesi nga torturat, si atdhetari Kol Rodhe, profesori Jorgji Çoka, tregtari Kolë Kuqali, ndërsa gjithë të tjerët u pushkatuan, ndërmjet tyre edhe i riu demokrat nga Kolonja, Zalo Xhomaqi.
Ja procesverbali i pushkatimit, i hartuar nga Haznedari: (me titra)
“Sot, më datën 3 korrik 1946, u ekzekutuan me vdekje, me pushkatim: Xhahit Koka, Qenan Dibra, Hivzi Gole, Telat Drini, Shaban Balla, Mahmut Mëniku, Sami Qeribashi, Mehmet Beshiri dhe Ali Kavaja.
Fjala e tyre qe kjo: Rroftë Shqipëria e lirë me Kosovën! Vdekjen e kemi hak, sepse punuam për një Shqipëri të lirë e demokratike të tipit perëndimor.
***
Bashkë me Fatmir Majunin, djalin e ish-deputetit të pushkatuar, Irfan Majuni, shkojmë te qendra tregtare, ku më parë ka qenë kinema Nacional, në të cilën u zhvillua gjyqi i deputetëve (Shoqërohen me pamje filmike të kinema “Nacional”).
Akuza: Janë armiq të pushtetit popullor, tradhtarë e kriminelë me të arratisurit për të rrëzuar me forcë pushtetin popullor; pjesëtarë të një organizate terroriste që donin të vrisnin udhëheqësin e partisë e të pushtetit popullor; agjentë anglo-amerikanë, që ishin vënë në shërbim të të huajve për ta hedhur Shqipërinë në prehrin e imperializmit; sabotatorë që donin të hidhnin në erë ekonominë e vendit, si edhe miqësinë e lavdishme me BS-në e Stalinin dhe Jugosllavinë e Titos.
Në këtë foto është Shefqet Beja, kur ishte në pozitë: Nënkryetar i Këshillit të Përgjithshëm NÇ, deputet i qarkut të Durrësit, Nënpresident i Frontit, pjesëmarrës aktiv në Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Ndihmoi në nxjerrjen e gazetës “Bashkimi”, organ i Frontit Nacionalçlirimtar. Në foton tjetër: Shefqet Beja - nuk është më miku i popullit, por armiku i popullit, i nxjerrë përpara gjyqit.
Në dhjetor 1946 iu hoq imuniteti parlamentar, sepse aspironte për formimin e një opozite demokratike dhe u burgos për tre muaj. Më 1947 u arrestua bashkë me deputetët e tjerë opozitarë. Ja, tek është, bashkë me Sheh Karbunarën, përpara akuzave të prokurorit, (Foto e Sh.Bejës para prokurorit), ja ku ndodhet përkrah me Sulo Klosin, tek ballafaqohen me kryetarin e gjyqit), ja tek përballen denjësisht në gjyq,bashkë më Selaudin Toton. Në gjyq ai u shfaq si një tribun i demokracisë përkundër diktaturës, kur deklaroi: “Regjimi i sotëm i Shqipërisë është një regjim totalitar dhe nuk është i përshtatshëm për vendin tonë se është i njëanshëm dhe, po nuk mendove si mendojnë komunistët, nuk je demokrat. Fronti Demokratik ekziston formalisht. Bashkëpunimi i partisë Komuniste me elementët pa parti gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka qenë për oportunitet dhe jo i sinqertë, bashkëpunim sa për t’i shfrytëzuar ata gjersa të merrte pushtetin në dorë. Kur Partia mori në dorë fuqinë, elementë të tillë i flaku. Unë mendoj se Shqipërisë do t’i ishte përshtatur një regjim në formën e demokracisë Perëndimore. Unë dëshiroja të mëkëmbej një regjim i tillë në vendin tonë”. U dënua me varje në litar dhe u ekzekutua në Tiranë, pranë teqesë së Dervish Hatixhesë (Kur Tomorri - nga fundi i intervistës - flet sesi e pa trupin e varur të Shefqet Bejës dhe një tufë me lule)…
Pamje filmike të Durrësit në vitet 1945-1946: Shtëpia e Enver Sazanit
Spikeri: Kjo është shtëpia e Enver Sazanit në Durrës (Portreti i Enver Sazanit). Dr. Enver Sazani vinte nga një familje gjirokastrite. Mbaroi liceun e Korçës, ndërsa studimet e larta për mjekësi i kreu në Francë, dy vjet në Monpelié, pjesën tjetër në Lion. Specializohet dy vjet të tjera për patologji-radiologji po në Francë. Anëtar i degës së Çlirimit Nacional të Shqiptarëve të Francës. Antifashist i orëve të para. Partizan i çetës Krujë-Ishëm dhe i çetës së Pezës. Deputet i legjislaturës së parë, shok shkolle dhe lufte i Enver Hoxhës, i cili ia hëngri kokën pabesisht .. Ilustruar me foto nga Beqir Çela dhe gjyqi…
Spikeri: Portreti i Tefik Deliallisit
Tefik Deliallisi, nga Shijaku dhe banues në Durrës. Nga një familje atdhetare e demokrate. Forcat komuniste kishin pushkatuan pa gjyq në Sharrë të Tiranës tre Deliallisët: Kapllan Deliallisin, deputet i Shijakut në parlamentin shqiptar të Mbretërisë; të vëllanë, Jakup Deliallisin, ish-kryetar i komunës së Shnavlashit dhe Shefqet Deliallisin, oficer i ri, i diplomuar në Akademinë Ushtarake në Romë, por që e priti me indinjatë pushtimin fashist. Tefiku, mësues atdhetar e demokrat,iu bashkëngjit grupit të deputetëve tok me Beqir Çelën dhe u pushkatua bashkë me ta. (Intervistë me Izet Shehun, ish-deputet, nip i Sheh Karbunarës).
Sheh Karbunara, studimet e larta teologjike i kreu në Stamboll, ndërsa ato për filozofi i përfundoi në Persi. Veprimtar i Mëvehtësisë, firmëtar i Aktit të Madh të Pavarësisë më 1912. Nismëtar, organizator dhe delegat i Kongresit kombëtar të Lushnjës, pjesëtar i lëvizjes demokratike të viteve 1920-1924, anëtar i opozitës popullore dhe mik i Nolit, Gurakuqit e Currit. Si antizogist arratiset më 1924, emigrant politik në Bari. Kthehet në atdhe pas pushtimit fashist. Si nacionalist ndihmoi në bashkimin e forcave shqiptare në luftë kundër okupatorëve nazi-fashistë. Deputet i legjislaturës së parë, që luftoi për një sistem demokratik pluralist. U arrestua bashkë me të birin, Hysenin dhe u dënuan me pushkatim.
Flitet për heronjtë e Mallakastrës: Ismail Klosi, Hajredin Fratari dhe Baki Gjebreja, që u pushkatuan nga rebelët e Musa Qazimit dhe të Haxhi Qamilit në vitin 1915, pse udhëhoqën rezistencën kundër kësaj lëvizjeje rebele antikombëtare. Pastaj del në ekran Sulo Klosi, ishte i biri i atdhetarit dhe luftëtarit të Pavarësisë, Ismail Klosi. Suloja, kreu gjimnazin e shtetit në Shkodër, mandej Universitetin e Strasburgut në Francë, ku u diplomua për gjeologji të naftës. Intelektual i shquar. Punoi si specialist në Drejtorinë e Minierave, kryeinxhinier në minierën e bakrit në Rubik etj. Bashkautor i punimit të parë shkencor “Mbi zbulimin e një fushe vajgurore të re në Shqipëri” tok me Inxhinierin e famshëm polak, Stanislav Zuber (Foto e Stanislav Zuber). Sulo Klosi ishte dalluar për pjesëmarrjen në Lëvizjen antizogiste të Fierit(1935), për të cilën u dënua me vdekje, që iu fal. Veprimtar i Ballit Kombëtar dhe idhtar i Mid’hat Frashërit). Pas luftës, opozitar nacionalist dhe demokrat. Në muajin mars 1947, arrestohet bashkë me intelektualë të Grupit të deputetëve dhe dënohet me varje në litar. E ekzekutuan në trekëmbësh në Rubik më 10.10.1947, duke tmerruar njerëzit.
Në Kuçovë, ekzekutorët komunistë varën në litar inxhinierin Riza Alizoti. I biri dhe e bija e martirit, vënë nga një tufë me lule në vendin ku e varën atin e tyre. Riza Alizoti, mësimet i kreu në Robert Kolegjin e Stambollit. Vazhdoi Tekniken e Fulcit në Tiranë dhe studimet e larta në Oksford. Specializohet për shfrytëzimin e minierave në Strasburg. Zotëronte e gjuhët anglisht, frëngjisht, turqisht. Punoi gjithë kohën në Kuçovë, para dhe mbas luftës, për të vënë në shfrytëzim naftën e Kuçovës, të rrënuar nga lufta. U akuzua si sabotator dhe armik i pushtetit popullor, si bashkëpunëtor me anglo-amerikanët, duke e implikuar pa asnjë fakt me Grupin e Deputetëve.
Ja edhe busti i gjeologut më të famshëm të të gjitha kohërave, polakut Stanislav Zuber, që kishte zbuluar vendburimet e naftës në Gjirin Persik, në Baku të Rusisë, mandej edhe në Shqipëri, pikërisht në Kuçovë, Marinëz etj. Hartuesi i Hartës gjeologjike të Shqipërisë. Në vend që ta vlerësonin dhe të shfrytëzonin dijet dhe ndihmesën e tij për nxjerrjen e naftës, kromit, qymyrgurit, që ai kishte zbuluar, xhahilët komuniste e futën në burg dhe e torturuan deri sa dha shpirt, duke i kërkuar të tregonte se në ç’vend ndodhej floriri… (Pamje nga gazeta RD)
***
Salim Kokalari, ishte nga një familje e njohur gjirokastrite. Dy vëllezërit e Salimit, Ivziu, vdiqën në burg dhe Isai në internim. Salimi kishte studiuar në Francë për pedagogji. Mandej emigroi në SHBA. Në vitet 1920-1924 ishte pedagog në Liceun e Gjirokastrës. Mori pjesë aktive në Lëvizjen e Vlorës (1932) dhe të Fierit (1935). Pas dështimit të tyre, dënohet me vdekje. Iu fal jeta dhe bëri disa vite burg. Gjatë pushtimit Italian, si antifashist mbështeti Luftën Nacionalçlirimtare. Bashkëpunon me atdhetarët e demokratët properëndimorë, për vendosjen e një sistemi demokratik në Shqipëri. Për këtë, u dënua me vdekje, me pushkatim, me urdhër të Enver Hoxhës (Biseda me nënën e Nevilës).
Historiani: Me Tomorr Malasin bisedojmë për lëvizjen demokratike pas luftës së Parë Botërore, sidomos në vitet 1920-1924, për përpjekjen per vendosjen e nje sistemi demokratik pas luftës së dytë botërore, veçanërisht në vitet 1945-1946. Demokracia shqiptare i ka rrënjët të kahmotshme dhe të thella atje, kemi ç’të mësojmë prej saj. Më the që e ke njohur personalisht Selaudin Toton. Bisedë-Intervistë me Tomorr Malasin…..
(Portreti i Abdyl Kokoshit. Pamje nga gazeta Bashkimi).
Abdyl Kokoshi, nga familja e njohur Kokoshi e Vlorës. Ishte diplomuar për drejtësi. Abdyli, intelektual properëndimor, anëtar i KQ të Ballit kombëtar të riorganizuar (1945), i lidhur me deputetët nacionalistë të opozitës dhe me rezistencën kundërkomuniste në Shqipëri, veçanërisht në Shkodër. U dënua me vdekje, me pushkatim si nacionalist dhe organizator i kryengritjes antikomuniste të Postribës (Pamje filmore nga Postriba,Monumenti i Postribës).
Muhamet Prishtina, 22 vjeç. Do të flijohej në atë moshë të njomë vetëm pse ishte djali i patriotit Jahja Prishtina, anëtar themelues i Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës dhe sepse kërkonte që Kosova të bashkohej me Shqipërinë. Dënohet me vdekje, me pushkatim (Portreti). Pertef Karagjozi ishte një atdhetar i njohur gjirokastrit dhe nëpunës i devotshëm. U dënua me vdekje, me pushkatim, pa asnjë fakt ligjor, vetëm për kënaqësi të sadistit Hoxha (gazeta Bashkimi dhe portreti).
Agathokli Xhitomi, nga Përmeti, deputet i 1920-ës. Shkrues publik, i konsideruar i rrezikshëm nga regjimi. Për këtë u dënua me vdekje, me pushkatim.
Paolo Sagioti, nga Gova e Italisë. Inxhinier, i cili erdhi në Shqipëri më 1931 për të punuar në nxjerrjen e naftës, por gjeti pushkatimin në Kuçovë, si shumë specialistë italianë (Portreti dhe gazeta Bashkimi).
Me burgim të përjetshëm u dënuan: (me titra )
Ramazan Tabaku, Gjovalin Vlashi, Foto Bala, Ram Marku.
Me 20 vjet burg u dënuan:
Rustem Sharra, Xhevat Xhafa, Shefki Minarolli.
Me 15 vjet burg: Sulo Konjari.)
Avokatin e shquar Myzafer Pipa, që mbrojti me kurajo në gjyq nacionalistët dhe demokratët, e burgosën, sepse ai guxoi të thoshte në mes të gjyqit special: “Trupi gjykues nuk është i denjë dhe nuk ka lartësinë e duhur për të gjykuar këtë grup të pandehurish intelektualë, duke pasur në krye një teneqexhi injorant si Koci Xoxe”.
Ndërsa Koci Xoxe deklaronte në gjyq: “Kam dhënë urdhër që të vritet në burg pa gjyq, Myzafer Pipa! Gazeta Bashkimi 1949)
Historiani: Flet për Myzafer Pipën dhe torturat ndaj tij… (pjesë nga intervista në shtëpi -
Pamje nga torturat).
Lënda njerëzore ishte po ajo: deputetë demokratë të Kuvendit Popullor me në krye Riza Danin, intelektualë nacionalistë dhe demokratë kundërshtarë potencialë apo të dyshuar të regjimit, gjithsej 19 veta. Prokuror ushtarak, po ai, Nevzat Haznedari Gjykatës: major Niko Ceta (Pamje filmike të këtij gjyqi dhe gjyqeve të tjerë ushtarakë, foto e Nevzat Haznedarit etj). Dhe i kishin gjetur me kohë personazhet e kësaj tragjedie: Riza Dani, koka e “reaksionit” të Shkodrës dhe i opozitës në parlament, dënohet me pushkatim; Kostë Boshnjaku, organizator i “reaksionit” në Tiranë, deputet, me burgim të përjetshëm; Faik Shehu, organizator në Dibër, deputet, me pushkatim; Islam Radovicka, ish-komandant i Zonës i Operative NÇ, deputet, me pushkatim; Uan Filipi, nacionalist demokrat, idhtar i Mid’hat Frashërit, me pushkatim; Mestan Ujaniku, bashkëpunëtor me deputetët opozitarë, me burgim të përjetshëm; Syrja Selfo u vra në hetuesi; Ivzi Kokalari nga Gjirokastra, vdes nga torturat në burg; Hasan Reçi, nga Tirana me pushkatim; Hilmi Hysi, nga Skrapari, me pushkatim; Isuf Hysenbegasi, mjek nga Pogradeci, me burgim të përjetshëm; Kostë Boshnjaku me burgim të përjetshëm (Pamje nga gazeta Bashkimi, lista e gazetës).
Me burgime të rënda: Nexhmi Balla nga Delvina, Demir Kallarati nga Vlora, Adem Beli nga Korça, Arif Gjyli, nga Shkodra, Ibrahim Hasnaj sekretar i Komitetit Bektashian, Bexhet Shehu nga Tepelena, Kamber Backa nga Skrapari, Halit Gjolena nga Durrësi, pra, nga e gjithë
Pikërisht me 8 nëntor 1946, ditën e përvjetorit të pestë të PKSH, po në kinema “Nacional”, nisi gjyqi ushtarak kundër të ashtuquajturve sabotatorë të Maliqit, nga të cilët dy intelektualët e demokratët e shquar, inxhinierin Abdyl Sharra, që kishte kryer shkollën amerikane të Fulcit dhe universitetin amerikan në Robert Kolezh, si edhe Kujtim Beqirin, yllin e Universitetit të Vjenës, i laureuar me medalje të artë, inkuizitorët komunistë i varën në litar (Portretet e Abdyl Sharrës dhe Kujtim Beqirit të varur në litar). Pushkatuan edhe dhjetra të tjerë, të akuzuar si agjentë angloamerikanë; midis tyre edhe inxhinierin Vasil Mano dhe gruan e tij shtatzënë, Zyrika Mano, që i masakruan mizorisht (Pamje nga pushkatimi).
Kur e varën Kujtim Beqirin, ai hipi vetë mbi arkën e ekzekutimit dhe kur i vunë litarin në qafë, tha: “Të vërtetën do ta thotë historia. Rroftë Shqipëria!”. Dhe e shtyu vetë arkën, që t’i jepte fund agonisë, por prokurori Haznedari nxitoi të ndreqte gabimin dhe e vari përsëdyti me duart e tij.
Spikeri: Nërkohë, Enver Hoxha, deklaronte nga tribuna e Kuvendit Popullor: “Me armikun e brendshëm e të jashtëm s’ka mëshirë. Vetëm kështu do të forcohet atdheu, do të fuqizohet demokracia jonë popullore” (Enver Hoxha duke folur). Ndërkohë të gjitha ekzekutimet me pushkatim dhe varje në litar të mijëra nacionalistëve dhe demokratëve, i ka firmosur vetë Enver Hoxha pa iu dridhur qerpiku dhe dora (Dokumentet e aprovimit me firmë të Enver Hoxhës i ka Urani). Nga ana tjetër E.Hoxha, propaganda dhe shtypi komunist hidhnin baltë mbi Misionet Amerikane dhe britanike në Shqipëri, sidomos mbi Fulcin, duke i akuzuar opozitarët demokratë dhe inxhinierët atdhetare si spiunë anglo-amerikanë.
***
Një nga pjesëtarët e Grupit të Deputetëve- Martirë, që rastësisht mbetën gjallë, Bexhet Shehu, intelektual, me studime të larta të kryera në Austri, përkthyes i gjermanishtes, që provoi vuajtjet e burgut të Burrelit e mandej të kampeve të internimit e të punës skllavëruese në Vloçisht, Beden, Ura Vajgurore e gjetkë deri sa dha shpirt, ka lënë si testament një poezi: të përkthyer në burgun e Burrelit:
Ludvug Von Uhland
Fjala e të persekutuarve
Shërbimi për lirinë është një shërbim i rëndë
Ai nuk të jep favore princore as flori
Ai të sjell mërgim, vdekje, burg dhe uri,
Dhe prap ai shërbim është shërbimi më i lartë.