Chery Blair: Sistemi i gjyqësor në Shqipëri, i korruptuar

Chery Blair / Foto arkiv
Në ditën e dytë të vizitës së saj në Tiranë, këshilltarja juridike e Mbretëreshës së Anglisë, Chery Blair, ka mbajtur një fjalim në konferencën me temë Reforma në Gjyqësor si kusht për integrimin e Shqipërisë në BE. Duke iu referuar sondazheve, Blair ka theksuar mungesën e besimit të qytetarëve shqiptarë te sistemi i drejtësisë, për shkak të korrupsionit.
Sipas saj, për një sistem gjyqësor të pavarur mbetet shumë e rëndësishme ndarja e pushteteve.
Sipas një sondazhi të fundit, një pjesë e mirë e shqiptarëve nuk kanë besim tek sistemi gjyqësor. Një tjetër sondazh ka dalë në përfundimin se shqiptarët japin ryshfet më shumë se vendet e tjera. Duhet ta dini se kjo është një sfidë për të gjitha shtetet, dhe janë sfida që vijojnë dhe në qeverisjen aktuale.
Është shumë e rëndësishme për të theksuar ndarjen e pushteteve, nëse duam sistem gjyqësor të pavarur. Çështja e korrupsionit në Shqipëri është më e rëndësishmja që duhet adresuar. Problemi i gjykatave është kudo nëpër botë, por zhdukja e korrupsionit është ëndërr për çdo shtet dhe nevojitet një përgjigje e shpejtë ku ka korrupsion, theksoi Blair.
Bler ka theksuar gjithashtu nevojën e përfshirjes më të madhe të femrave në sistemin gjyqësor dhe garantimin e punës së gjykatësve.
Chery Blair, këshilltare juridike e mbretëreshës së Anglisë dhe bashkëshortja e ish-kryeministrit britanik Toni Blair, ndodhet në Tiranë që prej ditës së enjte. Vizita e saj vjen pas ftesës së universitetit Luarasi, Unionit të Gjyqtarëve dhe Qendrës Europiane me mbështetjen e Programit të USAID-it për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri dhe fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. / G.N.