Berisha-noterëve: Transparenca, jetike për veprimtarinë e çdo zyrtari

Kryeministri Sali Berisha / Foto arkiv
Gjatë fjalës së tij në Kongresin e Parë të Noterëve, kryeministri Berisha është shprehur se transparenca mbetet jetike për veprimtarinë e zyrtarëve të lartë të shtetit.
Berisha tha se qeveria do të vijojë zgjerimin e kompetencave të noterëve, në mënyrë që shërbimet ndaj qytetarit të bëhen më cilësore e më pak burokratike.
Është për tu vlerësuar gatishmëria juaj për të qëndruar ndaj secilit rast ku është shfaqur mungesa e përgjegjësisë. Ne kemi besim te ju dhe gjithnjë e më shumë në procesin e reformave, në interes të qytetarëve dhe biznesit, ne llogarisim zgjerimin e kompetencave tuaja dhe kjo sjell shërbime më të mira e më pak burokratike për qytetarin.
Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë nisma për të transferuar te ju përgjegjësi që ishin në dorë të zyrave të regjistrimit të pasurisë. Shërbimi juaj është shërbim besimi. Çdo ditë, ju në zyrat tuaja firmosni ligje, se në fakt aktet tuaja janë ligje për palët.
Në veprimtarinë tuaj dhe të çdo qelize të shtetit për ta nxjerrë nga labirintet, për ta mbrojtur, sot ka një mekanizëm themelor dhe kjo është transparenca. Ajo është jetike për veprimtarinë e çdo zyrtari, nga presidenti, kryeministri, ministri, noteri etj. Unë ju përshëndes për gatishmërinë për procesin e dixhitalizimit të veprimtarisë tuaj, tha kreu i qeverisë.
Gjithashtu, sipas kryeministrit, shërbimi noterial ka rëndësi jetike në luftën kundër terrorizmit dhe pastrimit të parave të pista.
Shërbimi juaj ka një rëndësi jetike nga çfarë tregojnë të gjitha vëzhgimet e lidhura me terrorizmin. Ai ka një mekanizëm pa të cilin nuk mund të ekzistojë: larja e parave. Kontributi juaj është jetik. Lufta kundër pastrimit të parave të pista është një luftë për sigurinë, përfundoi Berisha. / G.N.