Chopin 2010, Ministria e Kulturës shpall aktivitetet
Gjatë një konference për shtyp në Ministrinë e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve janë shpallur dje veprimtaritë që do të organizohen prej këtij institucioni në kuadër të vitit “Chopin 2010”. Në konferencën e organizuar në bashkëpunim me ambasadën polake dhe ambasadën franceze në Shqipëri mori pjesë edhe ministri Ferdinand Xhaferaj. Sipas tij, viti ndërkombëtar muzikor 2010, i kushtohet një prej yjeve më të shndritshëm të muzikës, kompozitorit të madh dhe pianistit virtuoz Frederik Shopen.
“Ky vit ndërkombëtar muzikor që respekton në gjithë botën 200-vjetorin e lindjes së mjeshtrit të papërsëritshëm të pianos, është një rast i shkëlqyer, që edhe ne të afirmojmë vullnetin tonë të plotë për të mbështetur dhe stimuluar iniciativa të rëndësishme artistike që synojnë gjithpërfshirjen dhe integrimin tonë kulturor”, tha ai. Me këtë rast është ngritur edhe një komitet nderi i përbërë nga personalitete të kulturës dhe në bashkëpunim me MTKRS dhe ambasadat e Polonisë e Francës do të organizohen aktivitete gjithë vjetore për nder të 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit polak. Në të gjithë botën e qytetëruar qindra mbrëmje muzikore, festivale dhe konkurse do të bëjnë të marrë jetë vepra e kompozitorit të madh.
Sikurse Mozarti, Shuberti dhe kompozitorë të tjerë të mëdhenj edhe emri i Frederik Shopenit u lartësua në vendin tonë fillimisht nga mësuesit dhe pianistët e parë veteranë si Lola Gjoka dhe Tonin Guraziu. Dhe botën e artit klasik romantik e përcollën suksesshëm deri në ditët tona artistët e tastierës pianistike si Boris Plumbi, Anita Tartari, Lili Tafaj dhe shumë të tjerë. Liritë e shumta që fitoi bota artistike dhe intelektuale shqiptare mbas viteve ’90 i lejuan personalitetet e artit shqiptar të grupohen në organizma e shoqata artistike. Prej mbi 15 vjetësh është aktive, sistematike dhe me prestigj brenda vendit, por edhe e integruar në federatën ndërkombëtare të shoqatave Shopen në mbarë botën, shoqata “Frederik Shopen”, të cilën Ministria e Kulturës e ka mbështetur me dëshirën që emri dhe vepra e Frederik Shopenit të njihet, studiohet dhe ekzekutohet përherë e më shumë në skenat shqiptare. Disa prej aktiviteteve të pritura gjatë këtij viti në nder të kompozitorit polak Shopen janë: në muajin mars do të zbulohet pllaka me emërtimin “Chopin” si dhe do të ketë një koncert të pianistit polak Marek në TKOB. Muaji prill do të vijojë me një tjetër koncert, kësaj radhe të pianistit francez Pascale Gallet. Nuk do të mungojë edhe një konkurs për pianistët e rinj shqiptarë, i cili do të zhvillohet në Akademinë e Arteve në Tiranë. Pas shpalljes së fituesit të këtij konkursi, muajt në vijim do të vazhdojnë me koncerte për piano nga instrumentistë të ndryshëm shqiptarë e të huaj. Ndërkaq për muajin tetor është parashikuar edhe botimi i biografisë së Shopenit, shkruar nga Antoni Grudzinksi nën përkthimin e Leonard Zisit, etj.
#