E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhevahir Spahiu, së shpejti me 2 vepra të reja

Festohet 65-vjetori i poetit të njohur shqiptar

Shkrimtari dhe poeti i njohur, Xhevahir Spahiu, ka festuar dje 65-vjetorin e lindjes. Akademia e Shkencave i ka kushtuar veprës së tij një retrospektivë, ku përveç analizave të bëra nga studiues dhe kritikë të letërsisë, kanë qenë edhe aktorët Bujar Asqeriu dhe Sokol Angjeli, që interpretuan disa nga poezitë më të njohura të poetit Spahiu. Në këtë përvjetor të ditëlindjes së tij, poetit iu akordua gjithashtu edhe një vlerësim nga ambasada e Iranit në Shqipëri.

Një vit më parë, poeti pësoi një hemoragji celebrale, si pasojë e së cilës, ende sot ka vështirësi në artikulim. Në 65-vjetorin e lindjes poeti i madh nuk ka preferuar të mbajë fjalim sipas rastit, por ai ka preferuar të thotë vetëm një faleminderit, edhe për shkak të gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore. Bashkëshortja e tij Marjeta Spahiu tregoi se publiku më vonë do të ketë mundësi të njihet me dy vepra të reja nga krijimtaria e poetit të madh shqiptar. Ajo tregon se një libër me poezi dhe një tjetër me përmbledhje të veprave më të mira që ai ka botuar për fëmijët do të jenë në vijim. Po ashtu në këtë përvjetor poetin e njohur Spahiu e ka uruar edhe zv.ministrja e MTKRS Suzana Turku. Në fjalën e saj zv.ministrja Turku vlerësoi veprën dhe kontributin e poetit të madh në letrat shqipe, duke e cilësuar si një prej personaliteteve më të rëndësishëm të kulturës shqiptare. Dje në 65-vjetor, lulet dhe vlerësimet kanë qenë dhuratat, që artisti i madh ka marrë në këtë ditë të shënuar mes miqve dhe kolegëve. Aktiviteti në nder të poetit që u organizua nga Akademia e Shkencave u mbështet dhe nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ky 65-vjetor shënon dhe herën e parë që poeti Spahiu merr pjesë në një festë të madhe që organizohet për nder të tij, kur nuk ka kaluar një vit nga gjendja e vështirë shëndetësore që provoi në mars 2009. Sëmundja e poetit nuk la askënd indiferent, pasi të gjithë e donin dhe e vlerësonin poetit e njohur. Gjatë ditëve të tij në spital të shumtë ishin ata që e vizituan, por dhe e mbështetën financiarisht udhëtimin dhe kurimin e tij në një klinikë në Stamboll. Poeti Xhevahir Spahiu është cilësuar si një nga poetët më në zë shqiptarë të dalë në vitet '70.

Të dhëna mbi jetën dhe veprën poetit
Xhevahir Spahiu lindi në Malind të Skraparit në 1 mars 1945. Mësimet e para i mori në Vlorë, ndërsa studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji, dega e Gjuhë-Letërsisë shqipe. Prej vitit 1968 punoi si gazetar në gazetën "Zëri i Popullit" më pas në revistën "Nëntori", mësues letërsie e libretist në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Viti 1993 e gjen Spahiun sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, struktura bazë e organizimit dhe orientimit të artistëve në 45 vite të regjimit. Shumë shpejt ai emërohet kreu i kësaj strukture, funksion të cilin e kryen deri në vitin 1998. Ndërsa Akademia e Shkencave gjatë zgjedhjeve të saj të fundit e vlerësoi Spahiun, duke e bërë anëtar të saj. Ndër veprat e tij të botuara përmenden: "Mëngjes sirenash" (1970); "Vdekje perëndive" (1977); "Agime shqiptare" (1981); "Nesër jam aty" (1987), i vlerësuar me çmimin "Migjeni"; "Ti qytet i dashur (1973)", "Dyer dhe zemra të hapura (1978)", "Heshtje s'ka" (1989), "Poezia shqipe (1990)", "Kohë e krisur (1991)", etj. Ai është fitues i çmimit të parë në konkursin e 45-vjetorit të Çlirimit të Atdheut; "Ferrëparajsa" (1996). Së fundi është botuar vepra e tij e zgjedhur, krijimet më të mira ndërmjet viteve 1965-2000. Janë dy vëllime me të njëjtin titull, "Udha".

Nga Julia Vrapi

Last Updated on E Hene, 01 Mars 2010 21:32

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›