Shëndeti, 3 mijë ekzaminime falas me teknologjinë e fundit
Dje nisi aktivitetin normalisht si një spital multifunksional, spitali më i madh jo publik në Shqipëri. Hygeia. Ky spital që në orët e para të tij i ka dhënë rëndësi shëndetit dhe parandalimit të sëmundjeve. Gjatë ditëve të hapura fundjavën e kaluar mbi 3 mijë persona siguruan mundësinë e ekzaminimit falas nga spitali. Spitali Hygeia, ose shqip “Shëndeti”, ka ofruar mamografi dixhitale për femrat si dhe testin e provës ushtrimore për meshkujt. Dje spitali Hygeia, filloi të funksionojë me një kapacitet fillestar prej afërsisht 120 shtretër duke ofruar si një spital të Përgjithshëm, një klinikë pediatrie dhe një klinike maternitet e duke mbuluar të gjitha aksidentet, nga diagnostikimi deri tek trajtimi, duke ofruar shërbime të cilësisë së lartë. Sapo spitali të arrijë kapacitetin e tij të plotë, ai do të ofrojë shërbim me 220 shtretër, 5 dhoma lindjeje dhe 16 shtretër të Shërbimit të Reanimacionit. Në fundjave spitali hapi dyer për vizitorët për të treguar nga afër teknologjinë më të fundit mjekësore dhe projektin tepër modern. Mbi 3 mijë qytetarë të thjeshtë vizituan ambientet e këtij spitali të ri duke siguruar edhe ekzaminimet falas, të cilat do të nisin të bëhen prej datës 5 korrik. Personat e interesuar për rezervimin e një takimi, mund të telefonojnë në numrin 04 2380 640, të kërkojnë numrin e brendshëm 8888 dhe deri në fund të shtatorit do kenë mundësinë të kryejnë vizitat me teknologjinë më të fundit mjekësore. Në Eventin e Dyerve të Hapura, i organizuar të Premten më 25 Qershor, morën pjesë krerë të rëndësishëm të politikës Shqiptare dhe të Trupit Diplomatik në Shqipëri. Petrit Vasili, Ministër i Shëndetësisë dhe Deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, Zv. Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Ethem Ruka, Deputet i Parlamentit Shqiptar dhe Kryetar i Komisionit të Shëndetësisë, Tritan Shehu, Deputet i Parlamentit Shqiptar (Partia Demokratike) dhe njëkohësisht ish-Kryetari i Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, Lulëzim Basha, Ministër i Punëve të Brendshme dhe Deputet i Partisë Demokratike, Genc Ruli, Deputet i Parlamentit Shqiptar dhe Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit, Myqerem Tafaj, Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj – Zv. Ministre e Arsimit, ishin disa prej atyre që u impresionuan shumë prej Spitalit dhe pajisjeve të tij – të vëna në përdorim për herë të parë në Shqipëri. Në vijim të vizitës së zyrtarëve në spital, më shumë se 3.000 njerëz prej të gjitha moshave, vizituan mjediset e Spitalit të Shtunën më 26 Qershor, për të parë gamën e gjerë dhe veçantinë e shërbimeve të mundësuara nga Spitali Hygeia Tiranë. Fakti që asnjë qytetar Shqiptar nuk do të ketë më kurrë nevojë të udhëtojë sërish jashtë kufijve të vendit në kërkim të zgjidhjeve për shëndetin e tij falë vënies në funksionim të Spitalit Hygeia Tiranë, u pa si lehtësim për të gjithë vizitorët. Spitali Hygeia Tiranë nuk do të jetë vetëm investimi më i madh në sektorin e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri, por gjithashtu edhe një pikë reference për të gjithë Europën Juglindore, pasi pritet të mundësojë gjithashtu shërbime edhe për vendet fqinje (ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Kosovë dhe Mali i Zi), për shkak të teknologjisë dhe pajisjeve të saj të standardeve të larta.
#