Çifti belg prej një muaji në Shqipëri: Gjirokastra na dha eksperiencë të paharrueshme

Ana dhe Nils janë një çift turistësh belg. Prej një muaji ata ndodhen në Shqipëri ku kanë vizituar çdo pikë turistike dhe së fundmi janë stacionuar në Gjirokastër. Të dy janë shprehur të befasuar dhe të impresionuar nga bukuritë e vendit tonë.
“Kemi 4 javë që ndodhemi në vendin tuaj, nisëm një rrugëtim nga veriu dhe më pas në jug të vendit. Kemi qendruar 10 ditë në luginën e Thethit dhe kemi bërë ecje në malet e larta të Alpeve të veriut. Më pas kemi vizituar Durrësin, Tiranën, Krujën, Beratin, Sarandën dhe Gjirokastra është ndalesa jonë e fundit. Vizituam kalanë dhe zonën muzeale. Shqipëria na pëlqen shumë ka atraksione që i’a vlen për t’u vizituar, ka një natyrë fantastike dhe kemi mbetur të mahnitur nga këto bukuri”, shprehet Ana.
“Kjo është hera e parë që vijmë në Shqipëri. U nxita që ta vizitoja pasi pash disa fotografi nga finalja e Konferencë Ligës para dy vitesh ku luante ekipi im i preferuar Fejnordi me Romën. Kjo eksperiencë një mujore do mbetet e paharrueshme në mendjen time dhe do t’u sugjeroja miqve tanë belgë t’a vizitojnë Shqipërinë dhe sidomos Gjirokastrën,”tha Nils.
Të dy turistët pohojnë se kanë vizituar mjaft vende të Ballkanit por Shqipëria ka tërhequr interesin më të madh tek ta.
Gazetarë: Anisa Kadesha dhe V. Shumeli
/RTSH/